Tiranë, 15 Gusht 2011 NOA/ Arlinda Koçi – Studimet e mëparshme kanë treguar se shumica e aksidenteve janë shkaktuar nga shoferë në moshë, mbi 65 vjeç.
Tashmë harrojeni këtë lajm, pasi një studim i ri ka zbuluar se fëmijët ndihen më të sigurt kur udhëtojnë me gjyshërit sesa me prindërit e tyre.
Studiuesit në spitalin e fëmijëve në Philadelfia zbuluan se rreziku i lëndimit të fëmijëve është 50 % më i ulët kur gjyshërit e tyre gjendeshin në timon.
Studimet janë kryer nga një firmë amerikane e sigurimit, e cila mbulonte 12.000 fëmijë deri në moshën 15 vjeç, nga viti 2003 deri në vitin 2007 në 15 shtete.
Vetëm rreth 10 për qind e fëmijëve në studim, kanë udhëtuar me gjyshërit dhe lëndimet ishin proporcionalisht më të pakta.
Në përgjithësi 1.05 për qind e fëmijëve u plagosën kur udhëtuan me prindërit krahasuar me 0.70 për qind të tyre të cilët u plagosën kur udhëtuan me gjyshërit.
Dallimi ishte edhe më i theksuar, rreth 50 %, kur studiuesit morën në konsideratë kushte të tjera si mospërdorimi i një sedilje të përshtatshme për t’u ulur për fëmijë dhe përdorimi i makinave të vjetra.
Ata spekulojnë se arsyet për rezultatet e papritura mund të jenë fare të thjeshta.
Ndoshta gjyshërit, gjatë ngarjes së makinës, tregohen më të kujdesshëm me nipërit e tyre, duke treguar kështu shumë vëmendje për “thesarët e çmuar” që mbartin me vete – shkruajnë studiuesit.
Mosha mesatare e gjyshërve në studim ishte 58, thuhet në studimin që është publikuar në Journal Pediatrics.
a.k/e.t/NOA