English

Gjyqi i Mubarak shtyhet në 5 shtator, ndalohen kamerat dhe televizionet

Kajro, 15 gusht 2011, NOA – Gjyqi ndaj ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak është shtyrë për në datën 5 shtator. Vendimin e mori sot Presidenti i Gjykatës së Kajros gjyqtari Ahmed Refaat.

Gjatë procesit gjyqësor ish-presidenti egjiptian i akuzuar për vrasjen e mbi 800 civilëve gjatë protestave për rrëzimin e regjimit të tij, u paraqit i shtrirë në një barrelë krah dy djemve të tij Gamal dhe Alaa.

Në sallën e blinduar nga forcat e sigurisë në Akademinë e Policisë në Kajro, kryetari i trupit gjykues vendosi që në seancat e ardhshme gjyqësore të ndalohen të gjitha kamerat televizive.

83-vjeçari Mubarak u paraqit për herë të parë në procesin gjyqësor ndaj tij në datën 3 gusht, ndërkohë gjatë hyrjes së tij në sallën e gjyqit pati përleshje.

Ish-presidenti vuan nga probleme të zemrës dhe është shtruar në spitalin e Kajros që pas nisjes së procesit gjyqësor kundër tij.

Mubarak akuzohet për vrasjen e të paktën 800 civilëve protestues të vrarë gjatë protestave që sollën rënien e regjimit të tij mbi 30-vjeçar dhe korrupsion me pushtetin.

Të pandehur bashkë me të janë edhe dy djemtë Gamal dhe Alaa dhe disa vartës të ish-presidentit egjiptian.

mit/NOA

KOMENTE