Vlorë, 15 gusht, NOA – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë gjata paradites së sotme. Tre persona, ende të paidentifikuar nga policia, kanë grabitur me armë filialin e bankës BKT, në qendër të këtij qyteti.
Personat e armatosur kanë marrë të gjitha paratë që gjendeshin në sportelet e bankës. Ndërkohë që ngjarja nuk ka përfunduar me kaq. Tre personat kanë grabitur edhe të gjithë klientët e pranishëm në ambientet e bankës. Korrespodenti i Agjencisë NOA raporton se janë rreth 20 klientë që janë grabitur, duke u marrë të gjitha paratë që kanë pasur në xhepa. Ngjarja e sotme është ndër të rrallat ku pre e sulmit të grabitësve bien dhe klientët e bankës. Në rastet e grabitjeve të mëparshme të bankave në vend, vjedhësit janë mjaftuar vetëm me zbrazjen e sporteleve. Ndërkohë që sot, pjesë e terrorit dhe grabitjes kanë qenë qytetarët që ndodheshin në bankë.
Grabitësit kanë mundur të hyjnë në bankë, pasi kanë çarmatosur rojën që qëndronte në hyrje të saj. Por veç marrjes së armës, mësohet se grabitësit kanë ushtruar dhe dhunë fizike ndaj tij.
Pas neutralizimit të rojës, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, tre personat e armatosur kanë marrë paratë e klientëve si dhe kanë zbrazur gjithë kasat që ndodheshin në degën e BKT-së në Vlorë. Nuk dihet ende shuma që është marrë nga personat e armatosur.
Ngjarja e rëndë ka alarmuar gjithë policinë e Qarkut të Vlorës. Një grup i posaçëm hetimor ka nisur punën për zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorëve. Ndërkohë që po mblidhen dhe dëshmitë e para për ngjarjen nga personat e pranishëm.
a.k/NOA