English

Grabitja e bankës në Vlorë, policia në ndjekje të tre grabitësve të maskuar

Vlorë, 15 gusht 2011, NOA Update – Policia e Vlorës ka nisur operacionin për kapjen e tre grabitësve të maskuar që terrorizuan me armë punonjësit e bankës BKT në qendër të qytetit të Vlorës dhe klientët e saj që ndodheshin aty në momentin e grabitjes.

Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se efektivët e policisë kanë vendosur postblloqe në të gjithë qytetin, madje kanë rrethuar një zonë ku mendohet se janë fshehur tre grabitësit.

Grabitja e filialit të Bankës Kombëtare Tregtare pranë Sheshit të Flamurit ndodhi në mes të ditës në orën 11:36 nga tre persona të armatosur me armë zjarri dhe të maskuar, të cilët kanë arritur të marrin një sasi të vogël lekësh.

Policia e Vlorës e vënë në alarm thotë se tre grabitësit e maskuar janë larguar në drejtim të hyrjes së qytetit me një automjet tip Mercedes-Benz pa targa, ngjyrë vishnje.

Në vendin e quajtur “Rruga e Re” përpara bankës Raifeissen nën ndjekjen e policisë autorët e grabitjes kanë braktisur automjetin dhe janë larguar në drejtim të kodrave të qytetit.

Ndërkohë Policia e Vlorës është vënë në ndjekje të autorëve.

Efektivët e policisë janë duke marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes.

Shuma e parave e vjedhur në bankë ende nuk dihet.

mit/NOA

KOMENTE