English

Me këtë Kushtetutë nuk ka votë të lirë

Nga Andrea Stefani

Mustafa Nano propozonte në një artikull që opozita të ketë si përparësi nr. 1 të strategjisë së saj politike mbrojtjen e votës së lirë. Sugjerimi është më se i drejtë. Por ndërkaq, Nano shton se nuk duhet humbur kohë me një çështje “bjerradite”, si ajo e korrigjimeve të ndryshimeve të Kushtetutës, të realizuara më 21 prill 2008 me anë të një konsensusi PS-PD. Përse? Citojmë Nanon: “Nuk ka asnjë mënyrë për ta katandisur Berishën që ta pranojë idenë e rishikimit të Kushtetutës. Ai nuk mund të kthejë një trofe që iu dorëzua në sini të argjendtë. Përveç kësaj, nuk ka asnjë argument për ta vënë atë me shpatulla pas muri, pasi përgjigjen do ta ketë të kollajtë (siç e ka pasur këto ditë): Kushtetuta nuk është lodër. Berisha luan fort kur nuk ka asnjë çik të drejtë, e mund të përfytyrohet se sa fort mund të luajë kur ka të drejtë. E në këtë mes, ka të drejtë; ka të drejtë në kuptimin që nuk do të ish serioze t’u riktheheshe ca ndryshimeve kushtetuese për t’i ndryshuar. Ato ndryshime të vitit 2008 janë bërë me një logjikë hileqare? Këtë e themi edhe ne. Berisha mendon tjetër gjë”. Do ta analizojmë me kujdes këtë arsyetim të Nanos por në parantezë, duhet të themi se të shpresosh se mund të ketë votë të lirë e të ndershme në një shtet ku kryeministri është edhe president, edhe kryeprokuror, edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe kryetar i Shërbimit Informativ, do të thotë të shpresosh që vota e lirë të bashkëjetojë me një pushtet autokratik. Por atëherë autokratizmi do të ishte demokraci dhe kjo e fundit nuk do të kish asnjë lidhje me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

* * *

Një nga të metat e analizës së sotme politike në Shqipëri është nënvlerësimi që i bëhet ndikimit që kanë institucionet e sistemit në formësimin e proceseve politike. Duket se injorimi i institucioneve dhe minimizimi i rolit të tyre nga qeveritë arrogante të tranzicionit ka bërë që edhe në analizë, institucionet të merren si të tilla pra, pa ndikim dhe zë në kapitull. Dhe llogaritë bëhen vetëm me forcën që ka pushteti apo opozita. Për shembull Nano, në llogaritë që bën, merr si një ndër faktorët kryesorë Berishën, të cilin nuk mund ta detyrosh që të pranojë korrigjimin e Kushtetutës. Por pikërisht kjo është detyra numër një e opozitës. Që ta detyrojë autokratin Berisha të tërhiqet nga mbrojtja që i bën një Kushtetute (dhe pra edhe një sistemi) tashmë qartazi autokratike. Dhe duke bërë këtë, duke punuar për t’i rihapur sistemit shanset e lirisë, opozita do të ketë më shumë shanse të mbrojë edhe lirinë e votës. Ekziston një asimetri e dukshme mes Berishës dhe opozitës për sa i përket peshës që i jepet institucioneve. Ndërkohë që opozita ka menduar se mund t’i arrijë qëllimet e saj pa ndihmën e institucioneve, Berisha e di që nuk mund të sundojë i qetë, nuk mund të vjedhë e grabisë votën duke pasur nëpërkëmbë institucione të pavarura, gjykata, prokurori, KQZ dhe Kolegj Zgjedhor të pavarur. Prandaj, ka punuar dhe punon fort që t’i vërë ato nën komandën e tij. Zgjedhjet e qershorit 2009 si dhe ato të majit 2011 treguan se ai e ka arritur në përqindje të konsiderueshme këtë objektiv. Sepse edhe në 2009 edhe në 2011, Berisha i grabiti zgjedhjet, duke vënë në përdorim një KQZ të dominuar nga Ristanët e tij, si dhe një Kolegj Zgjedhor të kapur. Dhe akoma më keq do jenë punët në 2013-n, nëse Berisha arrin të fusë nën kthetra edhe institucionin e Presidentit, të prokurorisë dhe të tjera institucione. Kapja do jetë më e thellë dhe tutja nga pushteti më e madhe. Ndaj të shpresosh se mund të ketë votë të lirë e të ndershme, në një shtet ku nuk ka drejtësi, është të mos kesh mësuar asgjë nga përvoja e hidhur e 2009-s dhe 2013-s. Rruga për mbrojtjen e votës kalon nga Kushtetuta.

* * *

Ndaj opozita ka për detyrë të rikthejë te shqiptarët shpresën se Shqipëria mund të bëhet një shtet me drejtësi pra, me liri dhe demokraci. Ajo nuk do mund ta ketë kurrë votën e lirë si armë kundër autokratizmit në pushtet, nëse nuk çliron drejtësinë nga kthetrat e pushtetit. Pa drejtësi të pavarur nga pushteti, Berisha do t’i vjedhë përsëri votat dhe do përdorë “drejtësinë” si lavatriçe të grabitjes së votës. Dhe hapi i parë për këtë është që Shqipëria të ketë një President të pavarur dhe jo një President kukull të Berishës. Opozita nuk duhet të lejojë që qeveria të ridikulizojë ndarjen e pushteteve duke i keqpërdorur institucionet si garnitura të autokratizmit. Opozita duhet të zhvillojë një betejë të gjerë e të thellë, me të gjitha mjetet që ofron demokracia, për të rikthyer në shtet konstitucionalizmin. Vetëm duke bërë këtë, ajo do të mund të shlyejë ndaj shqiptarëve fajin e rëndë dhe tragjik të 21 prillit. Ndërkaq korrigjimet e tjera të Kushtetutës lidhen edhe me luftën e ashpër që duhet zhvilluar kundër korrupsionit qeveritar, që po përmbyt jetët e shqiptarëve. Minatorët që po vuajnë në grevë urie janë zhytur në fakt, në zgafellën e korrupsionit qeveritar. Berisha mezi pret sa ta flakë nga zyra Ina Ramën dhe të vërë atje ndonjë nga qeleshët e tij që ta përdorë “anti korrupsionin” si armë kundër opozitës, por edhe për të maskuar korrupsionin e qeverisë së tij. Dhe as mund të mendohet që një qeveri e korruptuar e pakërcënuar nga hetime të pavarura dhe drejtësia e pavarur të mund të tolerojë dorëzimin e pushtetit me anë të “votës së lirë”. Korrigjimet e Kushtetutës, duke mos lejuar që Berisha të përkryejë sistemin e tij autokratik, do ta nxjerrin në 2013-n më të dobët, më të paaftë të realizojë grabitjen e zgjedhjeve të radhës. E kundërta do të jetë nëse korrigjimi i Kushtetutës nuk realizohet. Prandaj që opozita të ruajë votën, duhet të luftojë me të gjitha mjetet dhe forcën e demokracisë, për të rivendosur sistemin që ruan votën. Të gjitha mënyrat që ofron demokracia janë ato që duhet ta kandisin Berishën të pranojë korrigjimin e Kushtetutës.

* * *

Dhe a ka argument opozita për një ndërmarrje të tillë? A ka ajo të drejtë apo e drejta është me Berishën? Nëse Berisha do kish të drejtë, atëherë duhet të themi se e drejta është me autokratin dhe jo me lirinë. Por nuk ka qenë asnjëherë dhe kurrë nuk do të jetë kështu. E drejta dhe liria janë anë të së njëjtës monedhë. Në Shqipëri nuk ka liri, sepse nuk ka drejtësi. Prandaj nuk ka dhe votë të lirë. Është e vërtetë, opozita, Edi Rama dhe të tjerë në lidershipin e saj, gabuan rëndë duke bërë një pazar të turpshëm me Berishën lidhur me amendimet e Kushtetutës. Kemi paralajmëruar në ato kohë duke cituar edhe Preç Zogajn të kish thënë se prapaskenat e pazareve me Berishën janë fatale për ata që i bëjnë. Por edhe vetë Zogaj e kish harruar këtë përvojë të tijën në ato momente. Dhe prapaskena e 21 prillit është fatale jo thjesht për opozitën, por tërë projektin e integrimit europian të Shqipërisë. Sepse nga 21 prilli e këtej, Shqipëria ka në themelet e saj një Kushtetutë që lejon përqendrimin e pushteteve në duart e kryeministrit. Nga themeli i një republike demokratiko-liberale, ajo është shndërruar në themel të një republike autokratike. Por a ia heq ky faj i rëndë të drejtën opozitës për të kërkuar korrigjimin në emër të lirisë? A do të ishte kjo sikundër frikësohet Nano një mungesë serioziteti e opozitës. Mendojmë se është krejt e kundërta: pajtimi me fajin dhe rrjedhojat e tij do të ishte mungesë skandaloze serioziteti e opozitës. Në radhë të parë ndaj shqiptarëve dhe idealit të tyre të shpallur për liri e demokraci. Opozita ka detyrë historike që, duke u ngritur mbi gabimet e saj, t’i rikthejë shqiptarëve sistemin që mbron lirinë dhe të drejtat e tyre. Edhe të drejtën e votës pra, demokracinë. Filozofi i shquar, Karl Poper, pranonte se demokracia mund të sjellë në një moment në pushtet edhe liderë që janë armiq të saj. Në rast i tillë është Sali Berisha, ndonëse ai po qëndron në pushtet jo me demokraci, por me votë të vjedhur pra, me pseudodemokraci. Dhe Poper shpjegon se çështja është të krijohet një sistem institucionesh dhe balancash, që të mos i lejojnë këta liderë të këqij të bëjnë shumë dëm. Kjo është përparësia e opozitës sot. Nuk duhet të lejojë Berishën të varrosë lirinë dhe demokracinë, ndërsa ngjiret për liri e demokraci!

Gazeta "Shqip"

KOMENTE