English

Parashikimi i motit për 16 gusht 2011

Tiranë, 15 gusht, NOA - Sipas MeteoAlb ditën e nesërme, (16 gusht), qarkullimi i masave ajrore nga jugu i Spanjës do të kushtëzoje mot të qëndrueshëm në vendin tonë. Pjesa më e madhe e Shqipërisë do të dominohet nga moti i kthjellët. Përjashtim bëjnë zonat malore të cilat do të kenë vranësira dhe shira të dobët.

Edhe pasditja do të vijoje me kthjellime në zonën e ulët dhe bregdetare duke lënë me vranësira dhe shira lokale zonën malore, kryesisht juglindjen e vendit. Në mbrëmje dhe gjate natës moti i kthjellet do të dominojë në të gjithë vendin edhe në zonat malore.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë serish rritje të lehtë në të dy vlerat ekstremale. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe det, me shpejtësi 20 km/h dhe drejtim Jugperëndimor, ndërsa dallgëzimi në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të jetë i ulët.

Parashikimi për në Europë

Europa Veriore, verilindore, si edhe pjesa më e madhe e Europës Qendrore do të mbeten me kushte të paqëndrueshme atmosferike, pasi vranësirat dhe shirat me intensitet të lartë do të jenë prezent gjate gjithë ditës. Shira më të dendur do të bien në Suedi, Norvegji dhe Rusi. Po ashtu vranësira dhe shira do të ketë zona e Alpeve dhe Italia Veriore, ku në këto zona nuk do të mungojnë edhe stuhitë e erës. Ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të dominohet nga moti i kthjellet dhe vranësira kalimtare.

Suedia dhe Norvegjia rrezikojnë shira intensive dhe stuhi të forta ere, Zona e Alpeve alarmon rrebeshe shiu dhe temperatura të ulëta, ndërsa Rusia rrezikohet nga rrebeshe shiu dhe stuhi me rrufe.

a.k/NOA

KOMENTE