English

Pink: Hetim urgjent policëve që torturuan transgjinorin Paloma

Tiranë, 15 gusht 2011, NOA - Ambasada PINK / LGBT PRO për mbrojtjen e personave të komunitetit transgjinor në Shqipëri kërkon nisjen e hetimit urgjent ndaj policëve që torturuan një pjesëtari të këtij komuniteti, i njohur me emrin Paloma.

Ambasada Pink bën me dije se rasti më i fundit ekstrem ndaj një transgjinori në Shqipëri u regjistrua rreth orës 16:00 të së dielës tek parku pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas ambasadës efektivë të Policisë së Shtetit, të shoqëruar nga një qytetare e thjeshtë, kanë kryer verifikime mbi vjedhjen e varëses së kësaj të fundit.

Ndër personat e pyetur, ka qenë edhe një djalë, shoqërues i grupit transgjinor, që jeton në këtë park, ndalimi i të cilit ka hasur në rezistencën e personit transgjinor të quajtur Paloma.

Ambasada akuzon efektivët e policisë se kanë ushtruar dhunë ndaj Palomës duke kaluar kompetencat ligjore.

“Reagimi i forcave policore ndaj Palomës, ka qenë i dhunshëm, duke kapërcyer të gjithë kufijtë e përdorimit të saj në mënyrë të ligjshme. Grupi prej gjashtë efektivësh të Policisë së Shtetit, mes të cilëve edhe një femër, ushtruan dhunë totalisht të pajustifikuar ndaj transgjinorit, e cila bazuar në aktet ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, mund të klasifikohet torturë”, thuhet në deklaratë.

Mandej bëhet me dije se Paloma, është shoqëruar në mjediset e Komisariatit Nr. 1 të Tiranës, ku dhuna ka vazhduar deri në momentin kur ajo u mbulua në gjak dhe për pasojë humbi ndjenjat.

Ambasada Pink thekson se një nga metodat e përdorura ishte vendosja e një skafandre, për të evituar shfaqjen e shenjave të dhunës në kokë, ndërkohë që efektivët e kanë goditur atë me shkelma dhe grushta në çdo pjesë të trupit.

Më pas policia e ka shoqëruar Palomën pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku ajo ka marrë ndihmën e shpejtë dhe më pas e kanë rikthyer në Komisariat.

Përgjatë gjithë kohës së ndalimit, Palomës nuk i është ofruar në asnjë moment ndihma juridike dhe për më tepër i është kërkuar të firmosë dokumente pa i lexuar ato paraprakisht, ndërkohë që Paloma nuk di as shkrim as këndim.

Ambasada PINK i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Avokatit të Popullit, të nisin një hetim urgjent për ngjarjen dhe të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personat me uniformë të përfshirë në të, të cilët kanë torturuar për orë të tëra një transgjinor, duke e vendosur jetën e saj në rrezik absolut.

Ambasada Pink thekson se komunitetit transgjinor në Shqipëri vuan prej vitesh margjinalizimin dhe përjashtimin e shoqërisë shqiptare për shkak të mungesës së masave mbështetëse nga Bashkia Tiranë dhe institucionet qendrore qeveritare.

Sipas Ambasadës PINK ngjarja e fundit vë në dukje nevojën për përmirësimin e mëtejshëm të sjelljes së policisë dhe ndalimin e akteve të homofobisë nga ana e tyre.

mit/NOA

KOMENTE