Prishtinë, 15 gusht 2011, NOA - Opozita kosovare i ka kërkuar Qeverisë që të mos dialogojë në asnjë mënyrë për çështjen e veriut me Serbinë, por në vend të kësaj të dalë më një plan të detajuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj pjese të vendit. Ndërkohë, drejtues të Qeverisë kanë përmendur një plan për çarmatosjen e snajperëve në veri përmes veprimeve të përbashkëta mes policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Burim Ramadani, deklaroi të dielën për të përditshmen “Koha Ditore” se Qeveria e Kosovës duhet të dalë me një plan kreativ për zgjidhjen e çështjes së veriut, i cili do të ndihmonte përmirësimin e jetës së qytetarëve atje.
Përndryshe, sipas tij, nëse Qeveria do të pranonte futjen e çështjes së veriut në procesin e dialogut, atëherë kjo absolutisht do të nënkuptonte pranimin e Planit Ahtisaari-plus, ose atë të ‘Republika Serpska’.
Ramadani pohoi se futja e çështjes së veriut në dialogun Prishtinë - Beograd, që do të zhvillohet më 5 shtator në Bruksel, është axhendë e Beogradit dhe këtë Prishtina nuk duhet ta pranojë.
“Veriu është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk ka çka të bisedohet me Serbinë”, vlerësoi Ramadani.
Sipas tij, dialogu mes të dy vendeve nuk mund të vazhdohet sipas axhendës së Serbisë.
Por, një parti tjetër nga radhët e opozitës po i bën thirrje Qeverisë që në asnjë mënyrë të mos vazhdojë bisedimet me Serbinë, jo vetëm për veriun, por për asnjë çështje tjetër.
Lëvizja “Vetëvendosje” është e mendimit se pikërisht tani është momenti më i mirë që dialogu i nisur muaj më parë mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërpritet.
Rexhep Selimi, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e “Vetëvendosjes” tha se se “pasi që dialogu tashmë ka filluar, e vetmja gjë që duhet të ndodhë, sidomos pas ngjarjeve të 25 korrikut e tutje, është që Kosova ta ndërpresë dialogun”.
Sipas tij, ky do të ishte akti më strategjik i politikës kosovare dhe i atyre që deri dje kanë menduar se dialogu mund të sjellë diçka.
Duke komentuar raportin e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB), Ban Ki-moon, për tre muajt e kaluar që u dorëzohet shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit për Kosovën çdo tre muaj, ku veç tjerash palët inkurajohen që të vazhdojnë bisedimet, Selimi thotë se “dialogu është një gjë e mirë, për palët partnere dhe ato palë që mund të kenë diçka për të dialoguar”.
“Në parim dialogët nuk janë negativë, mes palëve që kanë për çka të dialogojnë dhe të negociojnë. Por, Kosova nuk duhet të jetë pjesë e negociatave me Serbinë, sepse asnjë pjesë e territorit të saj nuk ka çka të negociohet Serbinë”.
“Çdo negociim me Serbinë për Kosovën nënkupton kontest. Dhe si i tillë, shteti i Kosovës nuk ka çështje kontesti me askënd, aq më tepër me një shtet, i cili e ka shpallur veten armik të Kosovës dhe të shqiptarëve, përderisa edhe në Kushtetutën e saj, Kosova vazhdon të figurojë si krahina jugore e Serbisë”, pohoi Selimi.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, përmendi publikisht të dielën një plan të Qeverisë për veriun, çarmatosjen e snajperëve atje.
Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të KFOR-it, të bëra para pak ditësh se në veri të vendit, veç strukturave serbe të sigurisë, ka edhe snajperë, ministri Rexhepi tha për radion Evropa e Lirë se “këta do të çarmatosen me veprime të përbashkëta nga Policia e Kosovës, e EULEX-it dhe KFOR-i. Në rastet kur janë të armatosur dhe rrezikojnë popullatën, është edhe obligim i KFOR-it - është më i përgatitur”.
Në anën tjetër, ai pohoi se po ashtu po bëhen plane që kontrolli i përhershëm nga ana e doganierëve kosovarë në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe Bërnjak, “ndoshta do të bëhet deri kah 15 shtatori… Ju e dini se ato janë shpallur zona të kufizuara ushtarake”, nënvizoi ai, duke rikujtuar se KFOR-i ka marrë tërë kompetencën atje.
Por, deklaratës për çarmatosjen e snajperëve i është përgjigjur menjëherë KFOR-i.
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter, pohoi se i duhet dhënë shansi procesit politik, para se të shqyrtohet një çarmatim eventual.
“Kjo nuk është çështje e kohës aktuale, është një çështje në plan afatgjatë, ne do ta shqyrtojmë atë. Por, jo në plan afatshkurtër. Ne duhet të përqendrohemi në procesin politik, në procesin paqësor dhe mendoj se kjo është rruga më e mirë për të ecur tash”, theksoi zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter.
Mbi dialogun me Serbinë, edhe drejtues të ekzekutivit të Kosovës kanë paralajmëruar se veriu nuk do të futet në axhendën e bisedimeve të 5 shtatorit, në Bruksel, ndonëse këtë e kanë paralajmëruar politikanë nga Beogradi.
Politikanët serbë kanë thënë se për vulat doganore mund të gjendet një zgjidhje, por jo edhe për vendosjen e doganierëve kosovarë në veri.
“Besoj se do t’ia dalim të zgjidhim problemin e vulave doganore, edhe pse kjo është çështje krejtësisht e ndarë nga vendkalimet (në Jarinjë dhe Bërnjak v.j), citohet të ketë thënë për mediat serbe shefi i delegacionit serb me Kosovën, Borsilav Stefanoviç.
Ndërsa, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ripërsëriti se “ne nuk dialogojmë për rendin tonë juridiko-kushtetues, nuk dialogojmë për territorin e vendit, nuk dialogojmë për statusin”.
Situata në veri të Kosovës u tensionua tri javë më parë, kur kryeministri Hashim Thaçi autorizoi njësinë speciale të policisë së Kosovës ROSU të vërë nën kontroll pikat doganore në Jarinjë dhe në Bërnjak.
Paraprakisht Qeveria mori vendimin për të aplikuar masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, sa i takon njohjes së vulës së Doganave.
Vendimi ishte marrë pas raundit të fundit të dialogut në Bruksel, kur Serbia nuk pranoi të njohë vulën e Doganave të Kosovës.
Për pasojë, as mallrat serbe nuk lejohen të futen në Kosovë, sikurse mallrat kosovare nuk janë lejuar prej më shumë se tri vitesh të kalonin në pikat kufitare me fqinjin verior.
Por, në dy pikat nuk ka më doganierë kosovarë.
Prezenca e tyre e përkohshme nxiti reagimin e serbëve, të cilët pos bllokadave nëpër rrugët e veriut që çojnë për në Jarinjë e Bërnjak, dogjën dy javë më parë pikën kufitare në Jarinjë dhe tentuan të njëjtën gjë edhe në Bërnjakë.
Ishte pikërisht ky tension pas të cuilit KFOR-i i shpalli vendkalimet zona të kufizuara ushtarake duke marrë kontrollin e tyre.
Koha Ditore/NOA