Tiranë, 15 Gusht 2011 NOA/ Irma Toptani – Publikimi pasditen e sotme i raportit të OSBE/ODIHR ka shtyrë kryeministrin Sali Berisha të dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
“Ky raport është objektiv dhe është frymëzues për zgjedhjet e ardhshme”, - tha Berisha.
Kurse shtoi: “Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë i vlerësoi zgjedhjet vendore të majit si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat për progresin në të ardhmen”.
Më tej kryeministri tha: “Raporti vlerëson zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive. Kompetiviteti është shtyllë kryesore e ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve”.
Sipas Berishës, “Kompetiviteti qëndron para së gjithash në të drejtën e të gjithë kandidatëve për garë elektorale të barabartë para qytetarëve. Raporti vlerësoi vendimin e Këshillit të Ministrave për të ndaluar të gjitha mjetet e administratës publike në garën elektorale. Dhe kjo ishte hera e parë në këto 20 vite që vendosej ky raport.
“Ekipi i ODIHR i vlerëson zgjedhjet si transparente dhe kjo i bën nder të gjithë sistemit zgjedhor. Kjo është meritë e veçantë e këtij sistemi”, tha kryeministri duke shtuar se në këtë mënyrë u tregua se funksionoi shteti ligjor, për votim dhe numërim transparent.
“Ndaj këto zgjedhje e merituan të vlerësohen si zgjedhje transparente”, tha Berisha.
***
OSCE/ODIHR sapo ka publikuar Raportin Final për Zgjedhjet Vendore të 8 majit 2011. publikimi i raportit vjen kur ende Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shpallur rezultatet dhe të dhënat e plota për këto zgjedhje.
Në raport fillimisht flitet për 21 janarin ku pas një demonstrate të opozitës që degjeneroi në dhunë, katër protestues mbetën të vrarë nën rrethana që ende janë nën hetim.
Raporti vlerëson se pas kësaj ngjarjeje, situata politike në vend në kuadrin e zgjedhjeve ishte shumë e polarizuar.
Kurse vlerësohet se pati më pak abuzime dhe më pak përfshirje të administratës shtetërore në procesin zgjedhor.
Në raport thuhet se në 384 njësitë zgjedhore gjatë ditës së votimit procesi ishte i rregullt dhe i kënaqshëm, por u vërejtën parregullsi të lokalizuara.
Raporti thekson se gara më e fortë ishte ajo e Tiranës mes kryebashkiakut për 11 vjet me radhë, kreut të PS Edi Rama dhe rivalit të tij demokrat, ministrit të Brendshëm të dorëhequr, Lulzim Basha.
Vijon...