Nga Redan Bushati
Mes zullumit të krijuar nga koha, me kalimin e viteve mbi supe dhe vështirësitë e jetës, edhe pena heziton të shkruarin e saj. Mendimet dhe ndjenjat fillojnë të ndrydhen, ndërsa dyshimet për çdo gjë sa vijnë e shtohen. Peripecitë e përditshmërisë e bëjnë jetën sa luksoze, por edhe të hidhur. Luksoze për «triumfatorët» dhe të hidhur për ato që nuk arrijnë të kalojnë pengesat e shumta të saj. Kthimi prapa në kohë, gjithmonë të mbush me një ushqim ndjesish të veçanta, saqë po të kishim fatin e botës në duar, pikërisht këtë do bënim, kthimin e kohës prapa. Ky kthim të sjell ndërmend gjithçkanë dhe asgjënë tënde. Gjithçkanë që të bën të lumtur dhe të kujtosh, asgjënë që ta tejkalosh dhe të mos e mendosh.
E ndërsa vitet kalojnë, tashmë ke provuar shumë gjëra, natyrisht jo të gjitha! Kur kujton pikëtakimin mes fundit të maturës dhe fillimit të jetës universitare, aty pikërisht shikon edhe kapërcimin e statusit tënd. Sigurisht, ti je më i rritur, më e rritur është edhe mendja dhe vitaliteti yt. Mes shumë tingujsh, veshi yt dëgjon gjithçka. Madje me ato veshë ke dëgjuar edhe shumë emra të përmendur disa herë, por që asnjëherë nuk i ke shikuar të gjenden aty, bashkë me ty. Ti befasohesh, madje bën edhe budallain, por nuk ke aspak të drejtë të sillesh në një mënyrë të tillë. A nuk të tregova që në fillim, se ne fillojmë të vyshkemi çdo ditë?! Ti i kupton «antivlerat» e shoqërisë tënde, por nuk i lufton ato, pasi mendon se do të jesh përfitues i ndonjërës nga mozaiku i tyre. Në fakt, nuk je treguar edhe aq i shkathët, pasi shoku yt apo shoqja jote nuk kanë aspak nevojë të gjenden me ty nëpër auditore. Studimet e tyre kanë pikët më maksimale. Ka prej atyre, që ti ndoshta nuk i ke dëgjuar, por që njëkohësisht ndodhen të regjistruar në mbi tre universitete. Si ty ka edhe të tjerë që dëgjojnë të njëjtin emër, i cili del i pranishëm edhe në universitete të tjera. Nuk është aspak e çuditshme!
Ato janë «aftësisht» më të mirë se ty! Gjithsesi, konkluzioni është pak më i gjërë se në arritjen e përfundimit të klasifikimit të studentëve me a) meritë dhe b) përsëri me meritë, por me një meritë më të mirë se merita, pasi ndodhet në thonjëza e shkreta «meritë»!
Çështja e zinxhirit në jetë është evidente, pasi lidhja e hallkave është e dukshme. Çdo gjë ka arsyen e vet pse ndodh, pasi asgjë nuk vjen rastësisht. Pikërisht edhe kjo gjendje në të cilën jemi nuk është rastësore, përkundrazi. Jeta jonë është e tillë, ku mes servilizmit të karriges dhe meritës për të mbërritur tek ajo, gjithmonë zgjedhim të parën. Kjo bën që edhe vlerësuesi ynë, kushdo qoftë, edhe pedagogë i yni, të ngatërrohet me vehten e tij drejt objektivizmit personal.
Ka nga ato që ja fitojnë zemrën; ka nga ato që janë sipërfaqësorë, por të dukshëm; ka edhe prej atyre që janë sekser të tij. Me këto tre kategori, ai gjendet në vështirësi për t'ju mos dhënë maksimumin e mundshëm. Ndërsa kemi edhe një kategori tjetër, ku renditen bijtë e «ish-oborrtarëve», «oborrtarëve» apo edhe ortakëve të tyre, ku këtu nuk ka aspak dyshime për pedagogun. Maksimumi i maksimumit! Sigurisht, ka edhe një pjesë që përpiqet dhe përkushtohet në arritjen e vetëpersonalizimit të ambicieve dhe synimeve. Po sa vend zë në shoqërinë shqiptare një kategori e tillë është një pyetje qesharake, pasi në këtë «mozaik» antivlerash «ëmbëlsira» e falur është shumë më e shijshme. Andaj diploma duhet të merret me çdo kusht, edhe pa studiuar!
*Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës