Skrapar, 15 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku (UPDATE)– Pesë persona kanë humbur jetën dhe një i gjashtë rezulton i zhdukur, për shkak të një aksidenti fatal që ka ndodhur sonte në zonën e Skraparit.
Burime policore në vendngjarje i thanë agjencisë NOA se bëhet fjalë për daljen nga rruga të një automjeti i cili ka rënë në kanionet e Skraparit, rreth tre kilometra larg qytetit të Çorovodës, në afërsi të fshatit Grepckë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20.00. Të dhënat e para flasin për një makinë tip fuoristradë me targë angleze e cila ka rënë në shkëmbinjtë që gjenden tek kanionet e Skraparit.
Sakaq, janë mësuar edhe emrat e viktimave të moshës nga 19 deri 26 vjeç: Emiliano Guri, Edison Çuko, Xhulian Allko, Fation Peka, Vladimir Dulellari, ky i fundit drejtues i mjetit.
Sakaq, i gjashti i tragjedisë, Drilon Guri dyshohet se është zhdukur pasi ende nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Që të gjashtë të rinjtë e përfshirë në aksident gjendeshin në të njëjtën makinë dhe ishin banorë të Skraparit.
e.t/NOA