Tiranë, 16 gusht 2011, NOA – Pak ditë pas videos së publikuar në internet ku kryebashkiaku i kryeqytetit Vilnius në Lituani, hipi mbi tank dhe shtypi me gjakftohtësi makinat luksoze të parkuara gabim, edhe bashkia e Tiranës duket se e ka marrë mësimin, por ndryshe nga Arturos Zuokas janë policët bashkiakë që janë lëshuar në aksion për çlirimin e rrugëve të Tiranës nga vendparkimet e paligjshme, dhe jo me tanke, por me zhbllokim të hapësirave.
Kryebashkiaku i Vilnius u dha një mësim të mirë të gjithë atyre pronarëve të makinave luksoze që i parkonin automjetet e tyre buzë rruge, e një gjë e tillë ndoshta në Shqipëri nuk ndodh, por vendparkimet e paligjshme në kryeqytet mbijnë çast pas çasti si kërpudhat pas shiut.
Ndërkohë aksioni tre ditor i policëve bashiakë të Tiranës përfshin çlirimin e të gjitha hapësirave të zaptuara për parkimet e makinave nga subjektet në mënyrë të paligjshme.
Inspektorët në terren kanë vërejtur se hapësirat mbahen të bllokuara në mënyrë të paligjshme, pasi subjektet nuk paguajnë taksa në bashki, për vendparkimet që zënë.
Bashkia e Tiranës thekson se një javë më parë, të gjithë subjekteve që kanë zënë pjesë të rrugëve, u është kërkuar dokumentacioni përkatës ku të vërtetohet leja që ata kanë dhe taksat që paguajnë për hapësirën që zënë.
Në shumicën e rasteve, subjektet nuk kanë arritur të paraqesin dokumentacion dhe në rastet kur kanë paraqitur, dokumentacioni ka qenë i mangët.
Pas kalimit të afatit, inspektorët e Policisë Bashkiake dhe të Tatimeve të Tiranës janë hedhur në terren.
Sipas tyre në shumë rrugë të kryeqytetit, një pjesë e mirë e akseve zihen nga kone dhe hekura, nga bizneset ngjitur dhe kjo ka shkaktuar rritje të problemit të trafikut në Tiranë, për shkak të pamundësisë për të parkuar.
Në pjesën më të madhe të rasteve, rezulton se subjektet që zënë hapësirat, nuk paguajnë asnjë taksë bashkiake dhe në rastet kur ata paguajnë taksohen për një vendparkimi, ndërkohë që në rrugë zënë deri në 6 ose 7 vende.
Aksioni do të vazhdojë për tre ditë me radhë, deri në çlirimin e këtyre hapësirave, ose në shfrytëzimin e tyre konform ligjeve në fuqi.
Pritet që ky aksion i policisë bashkiake të sjellë rregull në parkimin e makinave dhe të shfryjë sadopak trafikun në Tiranë.
mit/NOA