Tiranë, 16 Gusht 2011 NOA – Banka Kombëtare Tregtare (BKT), deklaron se ajo do të marrë masa më të forta për rritjen e sigurisë së degëve dhe agjencive të saj, me qëllimin për të parandaluar grabitje të tjera në të ardhmen.
Reagimi i BKT vjen pasi dje në orën 11:37 të paradites 3 persona të maskuar dhe të armatosur janë futur dhe kanë grabitur degën e BKT në Vlorë.
“Për shkak të masave të larta të sigurisë që aplikohen në të gjitha degët dhe agjencitë tona, gjatë kësaj ngjarjeje nuk ka pasur të dëmtuar qoftë nga klientët qoftë nga punonjësit e bankës”, - thotë BKT.
Zyra për shtyp e kësaj banke private, thotë se “punonjësi i shoqërisë së ruajtjes fizike, në përpjekje për të ndaluar grabitësit, ka marrë disa dëmtime gjatë konfrontimit me ta dhe po trajtohet në spitalin e Vlorës”.
BKT thekson se vlera monetare e grabitur ka qenë e papërfillshme dhe për më tepër e siguruar dhe njëkohësisht shton se “nuk ka patur asnjë dëm material të shkaktuar”.
BKT në deklaratën për media thotë se të gjitha degët dhe agjencitë e saj janë të mbikëqyrura me anë të kamerave të sigurisë dhe shërbim ruajtje dhe sigurie nga punonjës të pajisur me armë dhe këtu njofton se e gjithë ngjarja është e filmuar nga kamerat e sigurisë.
Ndaj materialet filmike bashkë me të gjitha materialet dhe informacionet e tjera të nevojshme u janë vënë në dispozicion Forcave të Rendit Publik për zbardhjen dhe hetimin e kësaj ngjarjeje si dhe për identifikimin e autorëve.
e.t/NOA
Grabitet BKT dhe të gjithë klientët e saj në Vlorë
Grabitja e bankës në Vlorë, policia në ndjekje të tre grabitësve të maskuar