Nga Arbër Zaimi
Raporti i lëshuar dje nga OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet lokale që sapo kaluam, kishte një dinamikë interesante të të shkruarit. Prej faqes së parë e deri në faqen e njëzetë të tij ky raport parashtron situatën, stërzgjatet mbi atmosferën parazgjedhore, flet për përfshirjen e mediave, për parapërgatitjen e për trajnimin, për gjëra që në vetvete nuk kanë paraqitur ndonjë problem të madh, e këtë nuk kishte nevojë të na i tregonte ndonjë agjensi ndërkombëtare që dislokoi në terren qindra vëzhgues të mirëpaguar. Jo vetëm që 20 faqet e para të raportit nuk flasin për ndonjë çështje problematike, po nuk flasin as për çështje interesante. Me atë gjuhën tipike të diplomacisë, shprehjet janë as mish as peshk, po aty këtu mund të pikasësh edhe disa fraza nga ato me të cilat është mburrur dje Sali Berisha, në deklaratën rrufe që bëri lidhur me këtë raport.
Pas faqes 20 fillojnë analizat mbi problemet e ditës para zgjedhjeve, dhe të ditës së zgjedhjeve. Për të thënë të vërtetën në këto dy ditë nuk pati kushedi çfarë, dhe palët pjesëmarrëse nuk janë ankuar për zhvillimin e procesit. Mirëpo raporti i ODIHR, i kushton kësaj periudhe jo shumë problematike, edhe 4 faqe të tjera.
Vetëm në faqen 24 raporti i ODIHR fillon të vërë gishtin në plagë, pikërisht atëherë kur çdo lexues që ka për synim vetëm informimin, do të qe lodhur e do të kishte humbur vëmendjen. Nga faqja 24 deri në faqen 30 ODIHR thotë gjithë të vërtetat mbi mangësitë në Kodin Zgjedhor, që ofruan mundësinë për veprime abuzive e kontradiktore të KQZ, por edhe të Kolegjit Elektoral. Pa u fshehur hiç, raporti tregon se si KQZ dhe Kolegji janë tallur me logjikën e me koherencën e vendimeve të veta, duke dalë jashtë kompetencave e duke e humbur besueshmërinë publike. Natyrisht, në raport denoncohen vendimet e marra me arrogancë, vendimet në mospërputhje me ligjin, vendimet dukshëm të anshme etj. Më pas, nga fq. 30 e gjer në fund raporti vazhdon me rekomandime, që duket sikur i ka shkruar dikush që nuk i ka lexuar problemet e evidentuara në fq. 24-30.
Raporti karakterizohet nga një ndryshim i qartë regjistri. Po ta lexosh të lind ideja se ka ekzistuar fillimisht një draft që merrej me problemet reale të shfaqura gjatë zgjedhjeve e të kontestuara gjatë mes palëve, por mbi këtë draft është punuar për t’i shtuar një parathënie të gjatë e mërzitëse, dhe një konkluzion të vagullt, po aq të bezdisshëm. Dallohet ndryshimi mes punëve të dy grupeve të ndryshme autorësh të raportit. Të kenë nisur debatet mbi politikën shqiptare dhe brenda në OSBE-ODIHR?
Gazeta “Shekulli”