E martë, 16 gusht 2011, NOA- Lëvizja “ Bashkohu” përmes një komunikate për shtyp e kundërshtoi ashpër vendimin e drejtorit të shoqatës humanitare që ofron shërbime mjekësore “Love Bridge" dega në Kosovë e njohur si shoqata “ Nëna" për largimin nga puna të teknikes së mjekësisë Lindita Bajgora vetëm pse kishte vendosur të mbante mbulesën islame.
“Ne si lëvizje e cilësojmë këtë si rastin e radhës të diskriminimit në baza fetare të femrës myslimane që mbanë shami në Kosovë. Vendimi i drejtorit Gani Demolli për largimin nga puna të Lindita Bajgores është një vendim arbitrar , i pashkruar dhe i pa arsyetuar që përbën shkelje të të drejtave të viktimës njëherësh paraqet rast të urrejtjes dhe diskriminimit në baza fetare”,thuhet në reagimin e Lëvizjes “Bashkohu”.
Kjo lëvizje bën thirrje që ky vendim të anulohet dhe Lindita Bajgora të vazhdojë punën në këtë qendër ashtu siç kishte punuar deri në momentin kur kishte vendosur të mbante mbulesë islame.
“Ne njëherësh e njoftojmë drejtorinë e kësaj shoqate dhe opinionin e gjerë se së shpejti do ti drejtohemi organizatës “ Love Bridge" me seli ne Gjermani për ta njoftuar për rastin e Linditës dhe për të kërkuar nga ata që ajo të kthehet sa më parë në punë”, thuhet në fund të reagimit.
(INA)/NOA