English

Eliza Dushku merr pasaportën shqiptare nga kryeministri

Tiranë, 16 gusht 2011, NOA – Eliza Dushku, aktorja e Hollywood-it me origjinë shqiptare zotëron nga sot pasaportën biometrike shqiptare dhe kartën shqiptare të identitetit. Nëntë ditë nga mbërritja në Tiranë, aktorja 31-vjeçare pas dekretimit të nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti i Republikës Bamir Topi ka marrë sot në duar edhe pasaportën e vendit të origjinës së etërve të saj, të cilën ia dorëzoi kryeministri Sali Berisha.

Dy dokumentet biometrike shqiptare e bëjnë edhe më kuptimplotë rrugëtimin e Elizës nëpër Shqipëri, me lajtmotiv promovimin e Shqipërisë, bukurive turistike shqiptare dhe vlerave shpirtërore të popullit të saj të origjinës nëpër botë, edhe pse ajo nuk di asnjë fjalë shqip.

Në ceremoninë e zhvilluar në godinën e kryeministrisë, Eliza Dushku u shpreh në anglisht se ndihej tejet e lumtur që tashmë posedon mjetet shqiptare të identifikimit dhe që do të jetë imazhi që promovon vendin e të parëve të saj.

Gjatë nëntë ditëve nga ardhja e saj për herë të dytë në tokën e shqipeve, aktorja hollivudiane ka shëtitur disa nga qytetet kryesore të vendit, duke veçuar Korçën, qytetin e të parëve të saj nga ku edhe nisi dokumentarin për Shqipërinë.

Eliza Dushku e cilësoi mbresëlënës udhëtimin nëpër Shqipëri ku ajo u njoh nga afër me natyrën, historinë, traditat, artin dhe kulturën shqiptare.

Ndërsa vetë kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij që Eliza Dushku u bë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm për promovimin e potencialeve të Shqipërisë.

Shefi i ekzekutivit rikujtoi se Shqipëria është cilësuar si magjia e turizmit këtë vit dhe se është shpallur një nga destinacionet më kryesore turistike në botë nga agjencia Lonely Planet.

Këtu kryeministri solli në vëmendje bukuritë shqiptare, peizazhin unik ku malet ndërthuren me detin dhe liqenet.

Ai tha se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tepër një destinacion nga më të preferuarit dhe këtë sipas tij e tregon qartë fluksi i hyrjeve të turistëve të huaj në vend.

Në këtë pikë ai i tha aktores së njohur se qeveria ka bërë investime të mëdha për zhvillimin e infrastrukturës turistike rrugore dhe ujore.

Kryeministri ripërsëriti se qeveria ka ndërmarrë nisma fiskale për të krijuar një mjedis të favorshëm për investimet në turizëm dhe në zonat turistike malore, me synimin që edhe ato të bëhet të prekshme nga kushdo.

Në krye të vizitës së saj në Shqipëri Eliza Dushku u prit nga kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili i dorëzoi simbolin e kryeqytetit, Kullën e Sahatit dhe e propozoi si ‘Ambasadore Nderi të Tiranës në botë’.

Aktorja shqiptare shoqërohej në udhëtimin në Shqipëri por edhe gjatë ndalesës në Prishtinë nga fotografi Fadil Berisha, aktori Blerim Destani, edhe këta të pajisur së fundmi me nënshtetësinë shqiptare dhe dokumentet e identifikimit.

mit/NOA

KOMENTE