Athinë, 16 gusht, NOA – Emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, do të pajisen së shpejti me leje qëndrimi biometrike.
Kjo falë një ligji të posaçëm të hartuar nga qeveria greke, sipas të cilit, emigrantët do të pajisen me leje qëndrimi të një tipi të vetëm.
Lajmi është komunikuar nga mediat greke, të cilat kanë pohuar faktin se tashmë Ministria e Brendshme Greke, e dorëzoi në parlament projektligjin në fjalë.
Agjencia greke e Lajmeve ANA bën me dije se ky projektligj mban përkatësisht titullin "Mbi lejet e qëndrimit të shtetasve të huaj në vend, në kushtet e sigurisë në rritje".
Dhe se ai parashikon saktësisht pajisjen e emigrantëve me leje qëndrimi të një tipi të vetëm, procedurat e përgatitjes së lejeve në fjalë, mundësinë e komunikimit të emigrantëve aplikantë me zyrat e shërbimit nëpërmjet postës elektronike si dhe krijimin e njësive lëvizëse për marrjen e të dhënave biometrike, në rastet kur emigranti nuk ka mundësi të paraqitet.
“Ndërkaq, vlera e pagesës për pajisjen me lejen e re të qëndrimit do të përcaktohet më vonë, me vendim të ministrit të Brendshëm”, bën me dije ANA.
Duke shtuar më pas se projektligji është hartuar në zbatim të udhëzimeve të Bashkimit Europian dhe një nga synimet e tij është që të përshpejtohet sa më shumë që të jetë e mundur procedura e marrjes së të dhënave dhe dorëzimi i lejes së qëndrimit emigrantëve.
Për këtë qëllim projektligji parashikon krijimin e qëndrave të shërbimit me një qëndrim, "one stop shop", që do të merret ekskluzivisht me procedurën e lejeve të qëndrimit.
Projektligji përmban dispozita edhe për pajisjen me leje qëndrimi të punonjësve sezonalë, të cilët nuk mund të punojnë më shumë se gjashtë muaj brenda një periudhe njëvjeçare.
Në projektligj parashikohet se punëdhënësit duhet të paguajnë paraprakisht në arkën e shtetit 150 euro për secilin punonjës sezonal që ka ndërmend të marrë në punë.
n.e/NOA