Zëvendëspresidentit Al Gore hyri në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjeve në botë, gara e ngushtë e Tiranës sjell vetvetishëm nevojën e specifikimeve, të qartësimeve, por ajo që është në meritën e sistemit është se ODIHR-i thotë në një nga rekomandimet e tij që numërimi, vlerësimi e trajtimi i votave të hedhura në kuti tjetër duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor
Nga Sali Berisha
Shpreh vlerësimin tim dhe të qeverisë shqiptare për raportin e OSBEODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, në Republikën e Shqipërisë. Duke shprehur edhe një herë, mirënjohjen time të thellë për ata qindra vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendet e tyre që i angazhuan me procesin e monitorimit, drejtuesit kompetentë të këtij misioni, si dhe për vëzhguesit vendas, deklaroj këtu se ky raport është objektiv, ky raport është edhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme.
Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë, i vlerëson zgjedhjet vendore të majit në Shqipëri si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm.
Raporti vlerëson zgjedhjet e 8 Majit si zgjedhje kompetitive. Kompetitiviteti është shtyllë kryesore e ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve. Kompetitiviteti qëndron sigurisht, para së gjithash, në të drejtën e të gjithë kandidatëve për garë elektorale dhe të qytetarëve për të marrë pjesë si të barabartë para ligjit në zgjedhje. Por kompetiviteti në Kartën e Kopenhagenit ka një element thelbësor tjetër, barazinë në burimet financiare, materiale të mazhorancës dhe opozitës. Ata që do lexojnë me vëmendje këtë raport do të gjejnë se raporti shpreh vlerësimin më pozitiv për vendimin e Këshillit të Ministrave, për të ndaluar përdorimin e të gjitha mjeteve të administratës publike në garën elektorale dhe kjo ishte hera e parë në 20 vite, që ky standard vendosej në këto zgjedhje. Raporti i referohet direkt Kartës së Kopenhagenit përsa i përket kësaj çështjeje dhe rëndësisë së saj, në karakterin kompetitiv, karakterin e lirë e të ndershëm të zgjedhjeve.
Ekipi i ODIHR-it vlerëson zgjedhjet transparente dhe kjo i bën një nder të madh tërë sistemit zgjedhor. Kjo është një meritë e veçantë e këtij sistemi dhe në qoftë se e para dëshmon mbi të gjitha, një vullnet të hekurt politik e dyta dëshmon një funksionim të shtetit ligjor. Shteti ligjor funksionoi. Çdo votë u hodh, u numërua, u vlerësua, u llogarit në mënyrën më transparente. Ndaj këto zgjedhje merituan të vlerësohen si zgjedhje transparente.
Raporti i OSBE/ODIHR-it njeh se aspekte të reja pozitive kanë hedhur bazën për progres të ardhshëm, të rëndësishëm. Natyrisht, një garë e ngushtë siç ishte ajo e Tiranës ishte një test jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin në tërësi. Test që u kapërcye me sukses të plotë, njëlloj si në Florida, ku gara e ngushtë midis Presidentit Bush dhe Zëvendëspresidentit Al Gore hyri në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjeve në botë, gara e ngushtë e Tiranës sjell vetvetishëm nevojën e specifikimeve, të qartësimeve, por ajo që është në meritën e sistemit është se ODIHR-i thotë në një nga rekomandimet e tij që numërimi, vlerësimi e trajtimi i votave të hedhura në kuti tjetër duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor. Nuk ka asnjë qortim për validitetin, qytetarinë, legjitimitetin e tyre, përkundrazi, kërkohet të përcaktohen qartësisht me ligj të gjitha qëndrimet ndaj tyre.
Raporti që në hyrje thekson se funksionoi sistemi i garancive të integritetit të procesit të votimit. Raporti thekson se numërimi në tërësi ishte pozitiv. Ndaj edhe shprehet se zgjedhjet në Shqipëri ishin kompetitive, ishin transparente. Zgjedhjet kompetitive e transparente janë zgjedhjet e vendeve të lira, në të cilat ekziston si ligji, ashtu edhe vullneti politik për të zhvilluar zgjedhe kompetitive dhe transparente.
Ekipi i ODIHR, në një letër shoqëruese drejtuar qeverisë shqiptare, shpreh vullnetin e mirë për t’u angazhuar vetë direkt në ndërmarrjen e reformës zgjedhore, në mënyrë që, ndonëse thekson se sistemi zgjedhor i Shqipërisë jep mundësi për zgjedhje të standardeve demokratike ndërkombëtarë, sërish ka nevojë për përmirësime. Pra, rekomandimi i parë mbetet rekomandimi i vitit 2009, vullneti i forcave politike për të zbatuar me rigorozitet Kodin Zgjedhor dhe për t’u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.
Duke falënderuar edhe një herë të gjithë ekipin e ODIHR-it, drejtuesin e saj Zotin Stonestreet dhe të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces, shpreh ftesën time së pari ndaj opozitës shqiptare dhe të gjitha forcave politike që bashkërisht, pa humbur kohë, të ulemi e të trajtojmë një nga një rekomandimet e çmuara të këtij raporti, në interesin më të mirë të një procesi që është themelor në çdo shoqëri të lirë dhe që gjithnjë dhe në çdo vend ka dinamizmin, përmirësimin e përsosjen e tij. I garantoj se si qeveri, si mazhorancë kemi të gjithë vullnetin për të bërë të gjitha kompromiset e nevojshme, në mënyrë që opozita shqiptare të gjejë hapësirat më të mëdha, për të realizuar ato që ajo mendon se i shërben sistemit zgjedhor. Ftoj gjithashtu ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias të asistojë në këtë proces, në interesin më të mirë të një reforme, e cila duhet të përputhet tërësisht me standardet ndërkombëtare. Mendoj se është në interesin e të gjitha forcave politike t’i përgjigjemi pozitivisht thirrjes së ODIHR-it që thotë se duhet angazhuar pa humbur kohë në këtë proces dhe pa pritur që të afrohen zgjedhjet e vitit 2013. Ky institucion ka shprehur gatishmërinë që të bëjë një vizitë që në muajin shtator dhe unë deklaroj këtu se është shumë i mirëpritur, në mënyrë që të eksplorojmë të gjitha mundësitë e fillimit të menjëhershëm të punës, për të adresuar të gjitha rekomandimet e këtij institucioni të vitit 2009 dhe të vitit 2011, që Shqipëria të ketë një nga kuadrot ligjorë më të mirë për zgjedhje të lira e të ndershme, në rajon e më gjerë.