Tiranë, 16 gusht 2011, NOA – Ashtu sikundër kryeministri Berisha një ditë më parë dhe partia kryesore e opozitës sot, edhe aleatja e qeverisë Lëvizja Socialiste për Integrim e cilësoi raportin final të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet lokale të 8 majit si një raport objektiv, por që rekomandon kryerjen e reformës zgjedhore.
LSI përmes nënkryetarit të saj Petrit Vasili vlerëson rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duke ripërsëritur thirrjen ndaj forcave politike për t’u ulur në tryezë e për të nisur ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor.
“Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR rekomandon qartë nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, e nuk ka më asnjë alternativë tjetër të përgjegjshme përveç asaj të uljes së partive në tavolinën e bisedimeve për përmirësimin e Kodit Zgjedhor”, tha nënkryetari i LSI-së.
Duke folur për vlerësimin e zgjedhjeve ai përmendi si aspektet pozitive të zgjedhjeve të 8 majit sa i përket kompetitivitetit dhe transparencës, edhe aspektet që ndikuan negativisht, polarizimin partiak të procesit zgjedhor.
Ftesën e LSI-së për bashkëpunim në reformën zgjedhore duket e ka pranuar tërthorazi sot edhe opozita, përmes nënkryetarit të grupit parlamentar socialist Saimir Tahiri.
Deputeti Tahiri në reagimin ndaj raportit final të OSBE/ODIHR-it u shpreh se opozita do të bashkëpunojë për të bërë ndryshimet e përmbajtjes së Kodit Zgjedhor.
Tashmë me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator kur pritet që opozita të rikthehet në kuvend duke ndërprerë bojkotin, pritet të nisin edhe diskutimet për reformën zgjedhore, por jo vetëm pasi bashkë me to opozita pritet të zyrtarizojë edhe propozimet për ndryshimet në ligjin themeltar, Kushtetutë.
mit/NOA