English

Pikat doganore, negociata në shtator në Bruksel

Prishtinë, 16 gusht 2011, NOA - Çështja e funksionimit të dy pikave doganore në veri të Kosovës do të jetë temë e diskutimit të radhës në tavolinën e dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit.

E përditshmja kosovare Koha Ditore bën me dije se sipas burimeve ndërkombëtare, kryenegociatorja e Kosovës Edita Tahiri dhe kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviç do të ulen në tavolinën e bisedimeve në ditët e para të muajit shtator për t’u përpjekur të gjejnë zgjidhjen e problemit të funksionimit të doganave në veri të vendit, të cilat javët e fundit edhe ishin në qendër të trazirave në veri.

Kryenegociatori serb, Stefanoviç, i cili javët e fundit duket se ka qëndruar më tepër në veri të Kosovës sesa në Beograd duke menaxhuar turmat e serbëve që kanë vendosur barrikadat nëpër rrugë, dhe zëvendëskryeministrja kosovare, e cila në dallim nga Stefanoviç ka qenë shumë më pak aktive, thuhet se janë duke u konsultuar vazhdimisht me ndërmjetësin europian të bisedimeve, Robert Cooper.

Burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për gazetën se nga palët do të kërkohet që të diskutojnë për funksionimin e të dy pikave doganore, ngase marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës, KFOR-it dhe Qeverisë së Serbisë është e përkohshme dhe vlen për të mbajtur situatën nën kontroll deri në mesin e muajit shtator.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë po kërkojnë një rol më të vendosur të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare, në mënyrë që palët të lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Një mundësi e mirë në këtë drejtim, sipas burimeve, mund të jetë vizita e ardhshme e kancelares gjermane, Angela Merkel, në Beograd.

Të njëjtat burime kanë shpjeguar se nëse nuk ka lëvizje konkrete deri në mesin e muajit shtator, KFOR-i do të vazhdojë të mbetet në veri të Kosovës, por shtojnë se mbajtja e dy pikave kufitare si zona ushtarake nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

Mospajtimet për mënyrën e funksionimit të dy pikave doganore, por edhe për transportin e mallrave, Prishtina dhe Beogradi i kanë shfaqur edhe të hënën.

Qeveria e Kosovës ka refuzuar idenë e hedhur nga Beogradi që për transportimin e mallrave të përdoren vula që kanë kuptim të dyfishtë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se Beogradi e di fare mirë se çfarë duhet të bëjë për të zhbllokuar transportimin e mallrave.

“Qëndrimi ynë sa u përket vulave është i qartë dhe i deklaruar disa herë. Serbia duhet t`i pranojë vulat e Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

“Zgjidhja e Qeverisë së Kosovës për të dy pikat është krijimi i rrethanave për dërgimin dhe funksionimin normal të doganierëve në mënyrë që aty të vihet rendi kushtetues”, ka thënë Kuçi, duke nënvizuar se Serbia nuk do të pyetet për një gjë të tillë.

Megjithatë, ka thënë Kuçi, për shkak të rrethanave të sigurisë Qeveria e Kosovës do t`i bëjë veprimet në koordinim me KFOR-in.

Ideja e Beogradit që kalimi i mallrave mes Kosovës dhe Serbisë të bëhet me vula dykuptimëshe së pari është lançuar nga mediat serbe e pastaj edhe nga zyrtarë në Beograd.

Sipas këtij propozimi të Serbisë, vula e Kosovë do të jetë dy në një. Në njërën anë të saj do të shkruhet “Dogana Kosovës” e në tjetrën “UNMIK-Shërbimi Doganor i Kosovës”, ose “EULEX- Shërbimi Doganor i Kosovës”.

Kryenegociatori serb, Borislav Stefanoviç, ka thënë se ky është vetëm një propozim, që pritet të diskutohet në fillim të shtatorit në raundin e ri të bisedimeve, duke shtuar se serbët pranojnë vulën që është në përputhje me rezolutën 1244, që është neutrale ndaj statusit dhe dokumentacionin që është neutral ndaj statusit.

Përveç zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, propozimin e ri të Beogradit e ka kundërshtuar edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

KD/mit/NOA

KOMENTE