English

PS: OSBE/ODIHR nxorri fitues Edi Ramën, do bashkëpunojmë për reformën zgjedhore

Tiranë, 16 gusht 2011, NOA – Një ditë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet administrative të 8 majit Partia Socialiste reagoi duke e cilësuar atë si një raport tërësisht objektiv që vërtetoi shqetësimet e ngritura nga opozita për manipulimin e procesit nga mazhoranca qeverisëse.

një konferencë për shtyp deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri deklaroi se raporti i vlerëson zgjedhjet si të parregullta dhe të manipuluara, ndërsa ka nxjerrë fitues në Tiranë liderin e opozitës Edi Rama.

“Pra raporti i OSBE/ODIHR-it thotë se kryetari i bashkisë së Tiranës është jo legjitim. Ne nuk presim që ai të japë dorëheqjen. Ashtu sikundër nuk presim që edhe kryeministri Berisha të japë dorëheqjen për presionet e tij në këtë proces”, theksoi deputeti i opozitës.

Sipas tij raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë nuk i klasifikon zgjedhjet as si të lira as si të ndershme, duke iu kundërvënë dorazi deklaratës së kryeministrit mbrëmjen e të hënës.

“Të gjitha shqetësimet e ngritura nga PS janë pasqyruar në raport si të vërteta”, tha Tahiri.

Sipas tij raporti i OSBE/ODIHR-it konstaton se listat kishin manipulime, e se qeveria ushtroi presion ndaj administratës.

Deputeti socialist duke lexuar raportin tha se ai konstaton probleme në 10 përqind të Qendrave të Votimit, duke theksuar se në zgjedhjet e 8 majit u vërejt fenomeni i mbushjes së kutive, që solli edhe ndryshimin e rezultatit në Tiranë.

Tahiri përmendi këtu edhe pikat ku raporti i OSBE/ODIHR-it i adreson kritika Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor për vendimet e dhëna në Tiranë.

“KQZ funksionoi si institucion partiak në shërbim të koalicionit qeverisës”, tha Tahiri, ndërkohë që numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara ishte i paparashikuar në Kodin Zgjedhor.

Sipas tij procedura e numërimit si të vlefshme të votave të hedhura në kutitë e gabuara cënoi legjitimitetin e KQZ-së.

“Vetë vendimet e Kolegjit Zgjedhor konsiderohen si kontradiktore. Vendimet ishin të ndryshme për situata të njëjta”, nënvizoi Tahiri duke iu qasur vendimeve të Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës.

Duke iu referuar konferencës së mbrëmshme për shtyp të kryeministrit Berisha, deputeti Tahiri bëri me dije se medalja që i vari vetes në qafë kryeministri për zgjedhjet është një medalje e vyshkur.

Deputeti socialist deklaroi se zgjedhjet e 8 majit shënuan një pikë të errët në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, duke akuzuar për këtë kryeministrin Berisha, që me presionin e tij për manipulimin e zgjedhjeve në Tiranë arriti ta klasifikojë vendin mes atyre me zgjedhje jo të lira e të ndershme.

“PS e vlerëson raportin si tërësisht objektiv. Raporti i djeshëm nuk lë asnjë shteg për të mbuluar gropat e zeza të manipulimit të zgjedhjeve”, argumentoi deputeti i PS-së.

Ai theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme në vend me këtë organizëm të KQZ-së dhe këtë Kolegj Zgjedhor.

Në fund të reagimit për raportin final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, deputeti Saimir Tahiri shprehu mirënjohjen ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë duke theksuar se opozita është e gatshme të bashkëpunojë për kryerjen e një reforme elektorale.

“Duhet ndryshuar përmbajtja e Kodit Zgjedhor për të përmbushur zgjedhje të standardeve ndërkombëtare”, tha deputeti i opozitës.

mit/NOA

KOMENTE