Tiranë, 16 Gusht 2011 NOA – Partia Socialiste reagoi sot lidhur me raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit duke vlerësuar se dje ndërkombëtarët ngelën në klasë Sali Berishën.
“Raporti i djeshëm përbën certifikatën e dështimit spektakolar të qeverisë për t’i dhënë qytetarëve dhe vendit zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standardet më minimale demokratike të pranuara nga bota e qytetëruar. Aq më keq, raporti e thotë qartë se rezultati për Tiranën, nuk bazohet në ligj, por në vendime të KQZ dhe Kolegjit kontradiktore, të pambështetura në ligj, dhe politikisht të motivuar”, - tha nënkryetari i grupit parlamentar të PS Saimir Tahiri.
Kurse më tej komentoi dhe reagimin e z. Berisha: “Ngërdheshja tërësisht e pajustifikuar e djeshme e Kryeministrit, në të kundërt, përbën medaljen e vyshkur që Sali Berisha vrapoi ta ngulte në gjoksin e vet si arritjen imagjinare të radhës, njëlloj siç përpiqet tu shesë shqiptarëve tufa gënjeshtrash me arritje në ekonomi e në reforma, e që të tilla mbeten vetëm në kokën e Saliut”.
Sipas Tahirit, Raporti në asnjë faqe të tij, nuk i ka klasifikuar këto zgjedhje as si të lira, as si të ndershme.
“Nuk i ka klasifikuar këto zgjedhje as si përmbushje e standardeve, qoftë edhe të pjesshme, siç ka deklaruar në të kaluarën. Të gjitha shqetësimet e ngritura nga Partia Socialiste para ditës së zgjedhjeve, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë numërimin dhe tabulimin e rezultatit, janë pasqyruar në raport të plota dhe të vërteta, duke ngritur shqetësime dhe më të mëdha jo vetëm për dështimin e paralajmëruar të zgjedhjeve të 8 majit, për të cilin u bëmë të gjithë dëshmitarë, por edhe për premisat e forta që zgjedhje të manipuluara e delegjitimuara të bëhen praktikë e konsoliduar e shumicës pa legjitimitet”.
Për partinë më të madhe të opozitës, Raporti konstaton se listat kishin mospërputhje, shtesa e dublime të cilat arrinin deri në disa mijë votues vetëm në Tiranë. Konstaton se pushteti ushtroi presion dhe kërcënim të organizuar ndaj administratës publike dhe punonjësve buxhetorë, duke i detyruar jo vetëm të marrin pjesë në mitingjet e PD, por edhe të votojnë kandidatët e partisë në pushtet. Konstaton se procesi i votimit ishte i parregullt dhe në shkelje të ligjit në më shumë se 10% të QV, çka sipas raportit, është më keq sesa në zgjedhjet e vitit 2009.
e.t/NOA