Nga Shkelzen Maliqi
Pushimet që po kaloj këtë javë në bregdetin Jon, më kanë bindur definitivisht se Shqipëria është një vend që e ka rrugën e hapur të prosperitetit. Kur e them këtë, nuk po i thur lavd pushtetit, ndonëse në përmirësimin e mundësive dhe infrastrukturës aktuale ka kontribuar edhe pushteti, qoftë ai qendror, ashtu edhe pushtetet lokale, pa marrë parasysh ngjyrat e tyre. E them këtë fjali optimiste me bindje ngase reflektoj dhe vlerësoj potencialet e Shqipërisë. Këtu shihet me sy, për çdo vjet, se shteti po ndryshon dhe përparon.
Në disa aspekte këto ndryshime duken edhe anarkike, të pakontrolluara mirë, por ama gjërat po ecin dhe në përgjithësi ka më shumë zhvillime pozitive, se ato që çojnë mbrapa ose në zhvillim të çoroditur.
Një gjë që kam dëgjuar prej disa vetave në bregdetin shqiptar të detit Jon është se për çdo javë në Shqipëri, në vendlindjen e tyre, po kthehen nga Greqia me dhjetëra familje që atje kishin ikur para njëzet vitesh ose më vonë. Kriza në Greqi po i godet në radhë të parë emigrantët shqiptarë, por edhe ata shtetas të shpërngulur shqiptarë që janë deklaruar si grekë dhe kanë jetuar dhe punuar atje shumë kohë. Duke pasur prona në Shqipëri, dhe duke i parë ecuritë pozitive të turizmit, por edhe të ekonomisë shqiptare, riatdhesimi i atyre u duket një gjë krejt e logjikshme dhe përfituese. Aktualisht shumë më shumë ka gjasa për prosperitetin e tyre në vendlindje, ku kapitalizmi po merr hov, sesa në kapitalizmin e Greqisë që po ngulfatet nga kriza marramendëse e borxheve dhe menaxhimi katastrofal i shtetit.
Përvojat me kapitalizmin dhe kursimet që i kanë bërë në Greqi kur atje kishin më shumë shanse për jetë normale, tani u duken të dobishme për investimet që i presin në Shqipëri.
A do të dijë shteti shqiptar që ta shfrytëzojë këtë kthesë në disponimin e tyre?
Se Shqipëria sot është një shtet relativisht stabil dhe me perspektivë zhvillimore tregon edhe ndërprerja e imigrimeve. Heqja e vizave ka dëshmuar se shqiptari më nuk vrapon në Perëndim me çdo kusht. Për dallim nga Serbia dhe Maqedonia, që kanë marrë vërejtje nga BE-ja për keqpërdorimin e regjimit të udhëtimeve në BE pa viza, Shqipëria e kaloi pa dhimbje testin e vitit të parë. Bile, trend i kthimit që e shënova më lart, jep një sinjal trimërues për stabilitetin më afatgjatë të Shqipërisë.
Qeveria shqiptare duhet t’i kapë këto trende pozitive duke ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës ligjore dhe të rritjes së bizneseve, p.sh. duke dhënë kredit për shtimin e kapaciteteve të hotelerisë dhe shërbimet e tjera që lidhen me turizmin dhe avancimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Nëse qeveritarët do të thoshin se është bërë shumë, atëherë sugjerimi është që kjo të bëhet edhe më shumë.
Dyshimi në efikasitetin e shtetit ka dy burime. Njëri është ai i konfliktuozitetit të pandërprerë politik dhe ideologjik, ato mospajtimet e vazhdueshme të pozitës dhe opozitës, tendencat e përhershme për ndryshimin dhe përshtatjen e ligjeve, ose të sistemit zgjedhor, pastaj bllokadat e punës së parlamentit, injorimi i institucioneve dhe kërcënimet me politikën e rrugës, - të gjitha këto duken si pengesa për zhvillimin më të shpejtë të vendit.
Faktori i dytë për mosbesim është ajo se politika dyshohet se shpesh kapet dhe kontrollohet nga bizneset e mëdha dhe interesat në esencë korruptive. Kjo akuzë prodhon atë përshtypjen e zymtë se shteti në të vërtetë kontrollohet nga bosët e mëdhenj të bizneseve, që disa prej tyre edhe nuk janë larg të qenit një lloj i mafisë.
Por, paradoksalisht, zhvillimi dhe mirëqenia ekonomike e Shqipërisë, si edhe në krejt ish-Lindjen komuniste (edhe disa vende klasike kapitaliste ende kanë struktura mafioze, ndikimi i të cilave depërton deri te zemra e pushtetit!), varet së tepërmi nga kapitali që kontrollojnë dhe investojnë këta bosët. Shteti shpesh detyrohet që t’u bëjë “koncesione” dhe favore bosëve dhe bizneseve të mëdha, në mënyrë që edhe ata t’i bëjnë koncesione dhe favore shtetit, - jo vetëm pushtetarëve për përfitime të tyre personale, por edhe për rritjen ekonomike të vendit.
Shpesh është e domosdoshme që të mbyllet një sy në luftimin e korrupsionit në harmoni me atë parullën e vjetër kineze se nuk është e rëndësishme a është macja e zezë apo e bardhë, por a i asgjëson minjtë.
Një kuptim pozitiv i kësaj fjalie kineze është se pakti i shtetit me bizneset e mëdha duhet të bëhet me një kusht jo edhe aq fleksibil, që së bashku me bosët të luftohet krimi i organizuar. Pra, përkohësisht dhe pragmatikisht mbyllet një sy, por assesi jo të dy sytë. Përkundrazi, edhe ai sy i mbyllur, duhet të “shërohet” dhe të hapet.
Kjo do të thotë se disa biznese të mëdha që janë rritur mbi krim (droga, kontrabanda), dhe disa të tjera që kanë tendencë të përhershme për të maksimalizuar profitet duke korruptuar pushtetin, duhet të binden që të ndryshojnë sjelljen dhe të bashkëpunojnë për mirëqenien afatgjatë të tyre, por edhe të shtetit. Zhvillimi normal i një vendi duhet t’i kanalizojë sa më shumë aktivitetet ekonomike në drejtimin që ngushton profitet e jashtëligjshme dhe krimin e organizuar, duke shpërblyer tendencat e kalimit të bizneseve nga trasetë e përfitimeve të dyshimta, në atë të fitimeve të ligjshme.
Kjo p.sh., do të thotë se nuk duhet të shikohet prejardhja e kapitalit, nëse ai tani investohet në mënyrë të ligjshme në projekte që ndihmojnë ndërtimin e kapaciteteve prodhuese dhe të shërbimeve turistike në Shqipëri.
Por, kuptohet, shteti dhe shoqëria civile duhet të kujdesen që të forcohen sa më shumë strukturat e ligjshmërisë dhe ato të gjykimit të krimit.