English

SHBA: Vendimet e Izraelit, thellësisht shqetësuese

Uashington, 16 gusht, NOA - Shtetet e Bashkuara thanë se vendimi i Izraelit për ndërtimin e afro 300 shtëpive të reja në Bregun Perëndimor të okupuar, është “thellësisht shqetësues” dhe është në kundërshtim me përpjekjet për ripërtritjen e bisedimeve paqësore me palestinezët.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, u tha reporterëve në Uashington se “këto lloje të aksioneve janë kundër produktive për negociatat direkte”.

Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara e “kanë ngritur këtë çështje me qeverinë e Izraelit”.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Ehud Barak, e ka dhënë lejen për ndërtimin e 277 shtëpive të reja në Ariel, një koloni hebreje thellë në Bregun Perëndimor të okupuar, ka njoftuar mbrëmë zyra e tij.

Në këtë mënyrë, është rritur në më tepër se 2700, numri i shtëpive të reja të kolonëve, të lejuara nga autoritetet e Izraelit, gjatë dy javëve të fundit. Kjo gjë është dënuar fuqishëm nga liderët palestinezë.

NOA/RFE

KOMENTE