Tiranë, 16 Gusht 2011 NOA – Postera “vdekjendjellëse” janë përgatitur dhe më tej shpërndarë nga disa të rinj në Tiranë, duke vënë në shënjestër të tyre, kryeministrin e vendit.
Policia e Tiranës ka nisur një hetim për ngjarjen, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit. Burime zyrtare nga Komisariati nr 3 i Policisë së kryeqytetit, i konfirmuan agjencisë NOA se janë shoqëruar pesë djem, të cilët përballen paraprakisht me akuzën për veprën penale të “Mashtrimit me publikun”.
Duket se organizatore e kësaj nisme është një shoqatë, Forumi Rinia Aktive.
Gerardo Durda i cili ka humbur vëllanë në Gërdec, Arlind Kote dhe Dritan Broka, anëtarë të Forumit Rinia Aktive, (Dritani, kryetar i FRA) janë tre të shoqëruar si dhe dy djem të tjerë të shoqëruar.
Në poster, përmbajtja e tyre ishte: “Me hidhërim të thellë njoftojmë vdekjen e z.Sali Berisha. - Njoftimi nga familja. - Autorët e vdekjes: Viktimat e Gërdecit, Minatorët e Bulqizës, etj.”.
Mesa duket kjo është një mënyrë simbolike proteste, por që gjithsesi, duke përdorur terma vdekjendjellës, nuk përbëjnë mënyrë të hijshme të protestave.
Burimet policore thanë se janë duke hetuar dhe për studiot që prodhojnë të tilla postera që për nga përmbajtja përbëjnë vepër të dënueshme penale.
e.t/NOA