English

Shqiptari fiton 43 milionë euro: Refuzojnë të m'i japin

Vjenë, 16 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku – Ka arritur të fitojë 43 milionë euro, por kur ka dashur të marrë paratë, nuk i janë dhënë, me pretendimin se ishte bërë një gabim teknik.

Ngjarja ka për protagonist 38-vjeçarin shqiptar Behar Merlaku, një emigrant me pasaportë zvicerane, i cili është bërë fituesi i një shume prej plot 42.9 milionë eurosh në një kazino në Bregenz të Austrisë.

Mediat e atjeshme i kanë bërë jehonë faktit të fitores por edhe refuzimit të pronarëve të kazinosë për t’i dhënë paratë.

Austrian Times shkruan se Merlaku ka qenë duke festuar lindjen e djalit të tij Erionit, në Bregenz Cazino dhe ka luajtur në makinetat e lojërave të fatit.

Në lojë e sipër i ka ardhur dhe shifra marramendëse që i lajmërohej përmes kompjuterit se kishte fituar.

Pak minuta më vonë, gëzimi i Beharit që shihni në foto me të shoqen dhe vogëlushin e tyre, është venitur pasi i është refuzuar dhënia e parave të fituara.

Menaxheri i kazinosë i ka deklaruar shqiptarit se fitorja ishte e pasaktë pasi sipas tij kompjuteri ishte çakorduar duke i dhënë një fitore të paqenë.

Debati është nxehur shumë por ka përfunduar me humbjen e të riut shqiptar i cili gjithsesi thotë se ka vendosur t’i drejtohet gjykatës.

“Unë u mrekullova dhe s’po i besoja syve kur pashë në ekran se kisha fituar Jackpot, plot 42.9 milionë euro. Por zhgënjimi erdhi kur punonjës të kazinosë më thanë se ishte një gabim i programit kompjuterik”.

Behari thotë se ai nuk është injorant pasi ka luajtur shpesh në disa kazino dhe këmbënguli se ishte fitues.

“Ata më morën për budalla, por unë nuk jam një i tillë. Kam luajtur në shumë kazino të tjera dhe po ju them edhe nëse ata kanë pasur një problem teknik, është problem i tyre dhe jo imi, unë fitova paratë. Në kazino disa humbin e disa fitojnë”, pohoi i riu për mediat austriake.

“Këtë fitore e kam të provuar madje e kam filmuar me telefonin celular. Po ju them se fitorja është fitore ndaj unë do të luftoj deri në vdekje për të, kjo është një padrejtësi”, - përfundoi shqiptaro-zvicerani.

r.b/NOA

KOMENTE