Pogradec, 16 gusht, NOA – Një 24-vjeçar është arrestuar nga policia e Pogradecit, pasi akuzohet për tentativë vrasje. Elidon Skëndaj, banues në Vlorë është arrestuar mbrëmjen e djeshme në orën 23:00 pasi ka qëlluar më armë, pas një sherri për motive të dobëta, Brian Syzon 20 vjeç dhe Markel Hafesllarin, 27 vjeç të dy banues në Pogradec.
Ngjarja është kryer në bashkëpunime me katër persona të tjerë, mes të cilëve dhe dy femra. Sipas policisë së Pogradecit, Skëndaj është ndihmuar nga Andrea Cami, 38 vjeç, Ferdinanda Cami 33 vjeçe, të dy banues në lagjen Nr. 5 Pogradec dhe nga Ergerta Cami 22 vjeç, banuese në fshatin Buçimas-Pogradec dhe Krenar Hanko, 20 vjeç banues ne fshatin Bucimas-Pogradec.
Të katër personat janë shpallur në kërkim nga policia, si bashkëpunëtorë në ngjarje dhe si persona që kanë fshehur armën.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Xhamia e qytetit, në lagjen Nr. 3 në Pogradec. Skëndaj dhe dy të rinjtë e tjetë janë grindur për motive të dobëta. Më pas, Skëndaj ka marrë pistoletën dhe ka tentuar të qëllojë ndaj dy të rinjve. Fatmirësisht plumbi nuk ka kapur asnjë prej tyre. Policia ka ndërhyrë dhe në vendngjarje ka sekuestruar një gëzhojë të kalibrit 7.62 mm, një fishek të këtij kalibri, si dhe një makine tip Audi me targa DY 340TT, në pronësi të Elidon Skëndajt.
Ai akuzohet për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga nenet 76, 22, 25, 278/2/3 te Kodit Penal.
a.k/NOA