English

Arbitri ndërkombëtar rrëzoi Kolegjin dhe KQZ-në

Nga Preç Zogaj

Zgjedhjet shqiptare kanë rregullisht dy arbitra. Arbitrin vendas që përfaqësohet nga dueti KQZ-Kolegj Zgjedhor dhe arbitrin ndërkombëtar që përfaqësohet nga misioni i ODHIR-it. E kemi argumentuar disa herë para dhe pas zgjedhjeve të 8 majit se arbitri ndërkombëtar qëndron mbi arbitrin vendas. Në pikëpamje të hierarkisë, besueshmërisë dhe të gjitha pikëpamjeve të tjera. Këtë nuk e themi për të nënvlerësuar gjykimin vendas, por se kështu është e vërteta. Mjafton të përmendim faktin se arbitri ndërkombëtar është pastërtisht i distancuar, i baraslarguar dhe i pavarur nga qeveria dhe partitë shqiptare. Të themi dhe tjetrën që juristët e perëndimit janë shumë më të kualifikuar se juristët shqiptarë për çështjet zgjedhore. Europa dhe SHBA-të e kanë përsosur sistemin e zgjedhjeve të lira përgjatë shekujve, ndërkohë që Shqipëria është përfshirë vonë në këtë histori. Duhet të gëzohemi që Perëndimi na ndihmon dhe na gjykon me standardet e veta; duhet të na vijë mirë që ODHIR-i u vë vulën përfundimtare zgjedhjeve. Dikush mund të thotë se ODHIR-i ka vetëm fjalë, ndërkohë që Tom Ndreca, Sashenka Jonuzi dhe Arben Ristani të japin mandatin në dorë, s’ka rëndësi a ta kanë dhënë apo jo zgjedhësit. Është e vërtetë se me dëshirën dhe bekimin e Berishës këta juristë fabrikuan mandatin e Lulëzim Bashës në krye të bashkisë së Tiranës. Për fat të keq, aventurierë, mediokër, lekistë, interesaxhinj, frikacakë, të marrë, kaçakë dhe kusarë ka pasur e mund të ketë sërish pikat kyçe të sistemit demokratik. Por bëmat e tyre nuk e prishin rendin e gjërave. Arbitri ndërkombëtar qëndron më lart. Arbitri ndërkombëtar është Gjykata supreme e zgjedhjeve. Arbitri ndërkombëtar jep ose nuk jep një mandat shumë me të vyer se sa mandati i veçantë i një bashkie apo komune: mandatin e demokracisë. Fjala e ODHIR-it për zgjedhjet ka një peshë vendimtare në gjithë ecurinë e integrimit europian të vendit. Për ta thënë në mënyrë paksa të figurshme, lejet për pallatet i jep bashkia, por “lejet” për ngrehinën e Shqipërisë europiane bazohen më raportin e ODHIR-it për zgjedhjet. Gjithsekush mund të gjykojë vetë se cila leje është më e rëndësishme për të mirën e të gjithëve.

Kur zgjedhjet për Tiranën thirrën në skenë Kolegjin, unë dhe kolegët e mi kemi paralajmëruar me shqetësim të madh rrezikun dhe pasojat e papajtueshmërisë në gjykim midis arbitrit vendës dhe atij ndërkombëtar. Nuk ia vlen të përsërisim çfarë kemi shkruar. Sot kemi në dorë raportin përfundimtar të ODHIR-it. Ky raport, në pjesën për Tiranën, që ishte “thembra e Akilit” e zgjedhjeve të 8 majit, rrëzon bujshëm dhe pa ekuivokë arbitrin vendas, KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor. Për KQZ-në nënvizohet se “shumica e vendimeve, në thyerje të rregullave të rëndësishme, kishin mungesa në koherencën e arsyetimeve”. Kurse për Kolegjin Zgjedhor thuhet se “ vendimet e tij për Tiranën ishin plot kontradikta dhe inkonsistenca”. Janë fraza të rënda, që përmbyllin një panoramë të gjerë shkeljesh, spërdredhjesh, piruetash, hilerash, sofizmash, shprehjesh të paqarta dhe dykuptimëshe të një grushti gjyqtarësh të përdorur dhe mediokër, që guxuan të driblojë ligjin dhe të kurorëzojë padrejtësinë për hesap të qeverisë.

Që nga viti 1996 e këndej në asnjë raport ndërkombëtar për zgjedhjet shqiptare nuk është folur kaq rendë si kësaj radhe për KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor.

Drejtësia dhe qeveria shqiptare janë akuzuar nga Brukseli për vendosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend – akuzë e rëndë që i përshtatet një regjimi xhungle dhe jo një shteti ligjor. E megjithatë, mund ta themi se asnjë institucion nuk e ka damkosur këto dhjetë vitet e fundit shtetin dhe demokracinë shqiptare sa KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor i vitit 2011. Me ato vendimet që i shqiptuan rëndom nën zë, kokulur, në pak sekonda, Ristani, Tom Ndreca, Sashenka Jonuzi dhe gjyqtarët e tjerë të kolegjit e futën në një krizë të re akoma më të rëndë jetën politike shqiptare dhe e vonuan Shqipërinë edhe disa vite të tjera në ëndrrën e saj europiane.

Çdo të bëhet? Çfarë qëndrimi do të mbajnë institucionet shqiptare dhe opozita në veçanti ndaj pjesës kritike të raportit të ODHIR-it për zgjedhjet në Tiranë?

Raporti, siç e vumë në dukje më sipër, ka rrëzuar KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor. Kjo nuk është një gjë e panjohur, e papritur. Edhe pa verdiktin e ODHIR-it, kjo KQZ dhe ky Kolegj ishin djegur, kishin bërë hara-kiri, apo thënë ndryshe, ishin bërë kurban, përpara dashit fatkeq, për karrigen e Bashës. As që mendohej që opozita të shkojë në zgjedhje të tjera me këtë frotë. Largimi i tyre nuk meriton të vendoset as si kusht për negociata me qeverinë.

Por me vërtetësinë dhe realizmin tronditës, raporti i ODHIR-it ka hapur lojën për një qëndrim të ri të institucioneve dhe opozitës ndaj gjithë atyre zyrtarëve, gjyqtarë, juristë, anëtarë të KQZ-së e tjerë, që me dashje dhe me vetëdije prishin zgjedhjet, mbjellin krizën dhe njollosin imazhin e vendit. Cilat janë detyrimet e Shqipërisë në kuadrin e anëtarësimit në OSBE? Është e sigurt se ekzistojnë detyrime. Është e sigurt se ligji dhe standardi ndërkombëtar prevalon ndaj ligjit dhe standardit vendas. Është e sigurt, gjithashtu, se ekzistojnë hapësira e nevojshme për shkarkimin nga puna të gjithë gjyqtarëve të Kolegjit që kanë marrë vendimet e atakuara nga ODHIR-i. Ata i kanë rëndë ndesh sistemit ndërkombëtar të gjykimit të problemeve zgjedhore dhe e kanë bërë këtë jo thjesht nga padija, nga injoranca apo subjektivizmi i pranueshëm profesional, por me vetëdije, duke u venë në shërbim të pushtetit për interesa vetjake. Shqipëria do të jepte një mesazh të madh, nëse do t’i shkarkonte nga detyra të gjithë gjyqtarët dhe zyrtarët që rezultojnë me shkelje në dritën e raportit të ODHIR-it. Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe institucionet e tjera shtetërore që kanë tagra mbi KQZ-në dhe Gjykatat kanë detyrimin të shprehen dhe të marrim masat e tyre për ketë situatë të rëndë. Por barra e madhe bie sërish mbi opozitën, e cila duhet t’i bëjë hesapet me një Kuvend dhe KLD pothuajse jashtë funksioneve. Opozita nuk duhet ta pushojë kurrë betejën ligjore për Tiranën deri sa manipulatorët të marrin ndëshkimin sipas ligjit.

Pasoja e dytë e dukshme e raportit të ODHIR-it për Tiranën është deligjitimimi de fakto i mandatit të Lulëzim Bashës. Arbitri ndërkombëtar ka vërtetuar si një e një bëjnë dy se padia e PS-së për mospërputhjen e numrit të votave me numrin e votuesve nuk ishte jashtë afatit, siç vendosi Kolegji, por në afat, siç e dinë gjithë shqiptarët, të majtë e të djathtë. Në këto kushte, Lulëzim Basha do të duhej të zbatonte vendimit e gjykatës eprore, pra të jepte dorëheqjen dhe t’u hapte rrugën përsëritjes së zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës. Shanset që ai ta bëjë ketë janë zero. E ka ndarë mendjen të drejtojë në kundërvënie me arbitrin ndërkombëtar dhe të mbetet deri në fund një kryebashkiak i dobët dhe vulnerabël për këtë shkak. Puna e tij. Por as ai, as Berisha nuk duhet të pretendojnë që opozita t’ua njohë bëmën e Tiranës në kundërvënie me arbitrin ndërkombëtar. Raporti i këtij arbitri për Shqipërinë dhe për Tiranën hap një horizont të ri për skemat e betejës së opozitës për votën e lirë. Një horizont që duhet rrokur.

Gazeta “Shekulli”

KOMENTE