Himarë, 17 gusht, NOA - Respektim i Kushtetutës për trashëgiminë ligjore të pronësisë dhe jo ligji 7501. Kjo është kërkesa kryesore që Shoqata Bregdeti dhe organizatat joqeveritare të Himarës kanë paraqitur në një rezolutë të posaçme, drejtuar së fundmi qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare.
Përmes saj, ato u bëjnë thirrje këtyre të fundit për zbatimin e kërkesës legjitime për kthimin total të pronave trashëgimtarëve ligjorë himariotë.
Sikundër denoncojnë edhe pronat e rrëmbyera apo dhëniet e lejeve në tokat e komunitetit të Kishës Ortodokse, dhëniet e vendimeve të gjykatave me emra anonime të sipërfaqeve të mëdha, si edhe akuzojnë politikanët apo njerëzit të cilët nuk kanë titull trashëgimie pronësie në Bashkinë e Himarës.
Ja rezoluta e përpiluar:
1 - Të gjitha shoqatat vlerësojnë si një ndër shtyllat themelore të të drejtave të njeriut dhe të një shoqërie me të vërtetë demokratike, të drejtën e Pronës private dhe respektimin e pronarëve të ligjshëm si nga shteti ashtu dhe nga shtetasit.
2- Situata aktuale kaotike e pronësisë mbi tokën në Bregdetin Jugor të Shiqpërisë është krijuar nga:
a- mosresektimi i respektimit dhe nga moszbatimi nga qeveritë e radhës (1991-2011) i të drejtës universale të fitimit të pronësisë të përcaktuara edhe në Kushtetutën e RSH të vitit 1998, ku neni 41/2 sanksionon “prona fitohet dhe dhurim, me trashëgimi dhe me blerje“;
b- mbajtja në fuqi me paterica e ligjit 7501 dt.19.07.1991 dhe akteve të tjera nën ligjore, në kundërshtim edhe me Kushtetutën;
c- E vërteta është se shteti monist në vitin 1976 që miratoi Kushtetutën e re të RPSSH, tokën ashtu si gjithçka tjetër i bëri prona të shtetit.
d- Por në shtetin shqiptar edhe sot mbas 20 viteve demokraci qeveria e konsideron veten si pronare të tokave të shqiptarëve madje vazhdon të nxjerrë edhe ligje- bijëza të 7501 edhe sot duke diskriminuar pronarët dhe trashëgimtarët e ligjshëm, të cilët i quan ish-pronarë dhe që për pronat e tyre u kërkon 30 palë dokumentash e harta, të cilat nuk ka mundësi t’i realizojë, në anën tjetër shteti “ynë” stimulon grabitësit e tokave, që me një kërkesë të thjeshtë që grabitësi vetëm sa e firmosë atë, e legalizoon, e bën pronar edhe me letra “pa vlerë”.
e- Qeveritë tona kanë patur të gjitha mundësitë për t’u kthyer fizikisht tokën bregdetasve se tokat e tyre janë të lira. Kështu, ka kaluar jo një vit siç përcakton ligji 7501 (që po nuk e punoi përdoruesi, toka i hiqet, por 20 vjet dhe qeveria hesht), pra pajtohet me ta, pa diskutuar edhe sesi e kanë marrë atë tokë.
3-Ne kërkojmë që regjistrimi i pronave të paluajtshme që do të fillojë në muajin shtator të bëhet me të gjitha dokumentat që disponojnë pronarët bregdetas –si ato arkivore dhe kadastrale deri në vitet 1946-1952 dhe jo me dokumenta të mëvonshme të dhuruara militantëve e simpatizantëve të partive për efekte elektorale.
4- Bregdetasve të larguar nga fshatrat e tyre për punë në rrethet e tjera të Shqipërisë (gjatë sistemit monist), t’u njihet pronësia mbi pronat e të parëve të tyre duke e kritikuar shprehjen “erdhën edhe ata nga qyteti “.
n.e/NOA