E mërkurë, 17 gusht 2011, NOA- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, ka marrë pjesë në Konferencën Bienale të Partneritetit me Gardat Kombëtare të SHBA-së, konferencë që po mbahet në Garmisch të Gjermanisë nga data 17-18 gusht.
Gjatë kësaj vizite Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me Komandantin e Komandës Supreme të Aleancës në Evropë (SACEUR), Amiral Stavridis.
Pasi e uroi për detyrën e marrë, Admiral Stavridis, u ndal duke vlerësuar në mënyrë maksimale kontributin e Shqipërisë dhe të FA në Afganistan dhe pjesëmarrjen e trupave ushtarake dhe policore shqiptare në OMLT për trajnimin e ushtrisë por edhe të policisë afgane.
Çështje të tjera bisedimi ishin edhe ato që lidhen me Reformën në fushën e Mbrojtjes, ku theksi u vu në pika të tilla si Ecuria e Procesit të Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, Vlerësimi dhe Përcaktimi i Kapaciteteve “niche” që ofron Shqipëria për Aleancën, kontributi i Forcave Speciale, (EOD) dhe Policisë Ushtarake.
Nga ana e ushtarakut të lartë amerikan pati një vlerësim të madh lidhur me angazhimin e vendit tonë në nismat rajonale siç janë ato të A5, SEEBRIGU-t etj. Po për këtë çështje u diskutua sesi këto organizime rajonale mund të jenë më efektive dhe sesi ato mund të shërbejnë si partneritete ku mund të japin kontributin e tyre edhe në misione jashtë rajonit.
Më tej Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, është takuar edhe me Drejtorin e Qendrës Marshall, Gjeneral Lejtnant Keith W. Dayton, duke e vlerësuar për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që Qendra Marshall ka dhënë në edukimin dhe trajnimin e personelit ushtarak e civil, jo vetëm të Ministrisë së Mbrojtjes por edhe Ministrive të tjera, si ajo e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme.
Në këtë konferencë e cila korrespondon me 20 vjetorin e fillimit të Programit të Partneritetit me SHBA, marrin pjesë Shefat e Shtabit të Përgjithshëm të 22 vendeve dhe përfaqësuesit ekuivalent nga Garda Kombëtare të SHBA-së.
a.y/NOA