E mërkurë, 17 gusht 2011, NOA - Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë nisur inspektimet në të nëntë pikat e kalimit kufitar për kontrollin e importit të produkteve ushqimore.
Drejtori i Përgjithshëm i AKU-t Genc Juka, bëri me dije se inspektorët e AKU-t janë të pranishëm në të gjitha pikat doganore të Shqipërisë, ku monitorojnë të gjitha mallrat ushqimore që hyjnë në vend.
Juka evidenton një nga risitë e këtij aksioni, ku mësohet se me ndihmën edhe të specialistëve të BE-së është instaluar në të nëntë pikat kufitare sistemi AKU-net, ku informacioni përcillet drejt qendrës në kohë reale.
Njoftimi nga operatori i biznesit për mallrat ushqimore që hyjnë në Shqipëri bëhet 24 orë deri në 48 orë përpara se ai të mbërrijë në kufi.
Sipas Jukës vlen për të përmendet se inspektimi në pikat kufitare i mallrave ushqimore bëhet në tri kategori, në kategorinë e mallrave me origjinë shtazore, ku kontrollet bëhen nga veterinerë të specializuar, kategoria e mallrave ushqimore me kontrolle të specialistëve ushqimorë, si edhe kontrollet fitosanitare.
Juka thotë se fluksi më i madh i mallrave ushqimore vjen nga dy vendet fqinje Italia dhe Greqia.
“Shkëmbimet tona të informacioneve me këto vende fqinje janë në kohë reale dhe shumë të mira dhe në këtë kuadër nuk kemi hasur në asnjë të papritur për mallrat ushqimore për shkak edhe të marrëdhënieve të mira dhe këtij shkëmbimi gjithnjë e në rritje të informacionit ndërmjet nesh”, theksoi drejtori i AKU-t.
Ai i siguroi konsumatorët se produkti i mishit që hyn në vendin tonë është mëse i sigurt dhe sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Ka pasur edhe raste të pakta ku janë sinjalizuar në kohë nga inspektorët tanë të mallrave që janë konfiskuar, por që tashmë me funksionimin edhe të sistemit AKU-net, çdo mall që hyn është i mirëkontrolluar. Në bashkëpunim me ne, duhet theksuar, është edhe operatori i biznesit i cili tashmë është ndërgjegjësuar dhe respekton të gjitha hallkat e kontrollit dhe të sigurisë ushqimore në bazë të legjislacionit për vendin tonë”, tha Juka, duke shtuar se AKU po respekton stadin e kontrollit të sigurisë ushqimore që importohet konform standardeve të BE-së edhe falë marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me vendet e BE-së.
mit/NOA