English

Masakra në Korçë: Gjenden flokët e Liliana Arapit, vijon kërkimi i kokës

Korçë, 17 gusht 2011, NOA/Alba Filipi – Pesë ditë pas masakrimit të Liliana Arapit nga 84-vjeçari Gaqo Dumka policia e Korçës nisi sot kërkimet për kokën e gruas së gjymtuar e copëtuar në mënyrë monstruoze.

Korrespondentja e agjencisë NOA bën me dije se nga kërkimi i deritanishëm është zbuluar vetëm pak momente të parë në një masiv gurësh, thesi me të cilin monstra Gaqo Dumka transportoi kokën e femrës me të cilën bashkëjetonte prej disa vitesh.

Në thesin e gjetur janë zbuluar vetëm tufa e flokëve të 42-vjeçares Liliana Arapi, por ende nuk po gjendet koka e saj, e cila pesë ditë nga masakra duhet të jetë e dekompozuar.

Blutë e Korçës kanë rrethuar tërë zonën e quajtur “Çezma e Shetros” në Ravonik të Korçës, pas deponimit të vetë masakruesit Gaqo Dumka sot në Gjykatën e Korçës.

Ndërkohë 84-vjeçari e pranoi autorësinë e masakrimit të Liliana Arapit, duke thënë pa iu dridhur qerpiku se Liliana i kishte 300 mijë lekë borxh dhe se kokën pasi ia kishte prerë nga trupi ia kishte hedhur në shkurre, vendi ku tashmë policia po vijon kërkimet.

Ndërkohë, familjarët e saj e kanë marrë trupin e të ndierës me gjymtyrët e ndara prej tij, i cili do të prehet ashtu i gjymtuar pa kokë në varrezat e Bilishtit, fshatit nga ajo vinte.

Vrasja monstruoze u zbulua mëngjesin e të premtes në vendin e grumbullimit të plehrave në Ravonik të Korçës, ku punonjësit zbuluan trupin e gjymtuar të gruas, me gjymtyrë e kokë prera.

Por ndërsa gjymtyrët ishin në një qese dhe rrobat e saj po ashtu të hedhura, koka deri më tani nuk është gjetur ende.

mit/NOA

KOMENTE