English

Ndërprerja e muajit të mjaltit, peshkaqeni shqyen turistin anglez

E mërkurë, 17 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kishte një numër të madh turistësh në ishullin e Seychelles, ku humbi jetën nga dhëmbët e peshkaqenit një turist anglez.

Një i ri italian i pranishëm në vendngjarje dëshmon se përgjegjëse për këtë rast janë autoritetet lokale të cilat nënvlerësuan rrezikun, pavarësisht se në 2 gusht të po këtij muaji një tjetër turist vdiq nga sulmi i peshkaqenëve.

“Në dy javë kanë vdekur dy persona të sulmuar 25 deri në 30 metra nga bregu, por pavarësisht kësaj nuk kishte asnjë tabelë lajmëruese në hotele dhe as në ambientet përreth për të lajmëruar turistët dhe në plazh nuk ka asnjë stacion për ndihmën e shpejtë”, dëshmon për ANSA turisti italian.

Sipas dëshmisë së turistit viktima ishte së bashku me të shoqen e tij në muaj mjalti në ishullin në të cilin kaluan muajin e mjaltit edhe princi William dhe Kate Midleton.

Më tej rrëfimi i italianit vazhdon duke thënë se, “Turisti anglez u hodh në det dhe vetëm pak më vonë uji u bë i kuq, pati trazira menjëherë pas kësaj ngjarje dhe vetëm pak minuta më pas mbërriti një gomone me shpejtësi të madhe”, tregon turisti me iniciale I.F.

Mësohet se në bord ishte një i ri anglez me krah të këputur nga ku dallohej vetëm kocka e shpatullës dhe këmba e shqyer në lartësinë e kofshës, një skenë e tmerrshme si në filmat horror.

Në breg ishte një mjek i cili u mundua të jepte ndihmën e shpejtë por dëmtimet e marra nga i riu dhe humbja e gjakut të rezultonin fatale për të.

Turisti anglez i moshës 30 vjeçare ishte në muaj mjalti në Seychelles kur u vra nën sytë e turistëve nga sulmi i etur i peshkaqenëve në ishullin e Praslin.

Viktima quhej Ian Redmont dhe së bashku me të shoqen Gemma Houghton 27 vjeçe, kishte shkuar në Seychelles për të kaluar muajin e majltit dhe në kohën e ngjarjes Gemma ishte duke marrë rreze dielli, por qetësia e saj u prish nga britmat e fundit të dhimbjes së të shoqit.

a.y/NOA

KOMENTE