Nga Mentor Nazarko
Raporti i fundit i ODIHR-it mbi zgjedhjet lokale shqiptare mbërriti në një kohë të pazakontë dhe nuk dihet nëse kjo ka qenë e qëllimshme prej autorëve të raportit apo shefave politikë të tyre. Kjo nuk do të thotë se po të vinte më parë ai do të kishte mundësinë të ndryshonte gjërat në terren. Sapo ai u përkthye në shqip, në këtë periudhë pushimesh politike, si zakonisht në “zbardhjen e së zezës”, kreu i qeverisë reagoi për të marrë iniciativën. Ai e vlerësoi paradoksalisht raportin si “himnizues të qeverisë dhe të zgjedhjeve që ajo di të përgatisë”. Sikur të mos reagonte vetë kreu i PS-së, Rama dje pasdite, reagimi i një deputeti të PS-së do të ngjante krejtësisht i papërshtatshëm. Ky nivel reagimi dukej i papërshtatshëm pikërisht për shkak të përmbajtjes së raportit të OSBE/ODIHR-it. Ky raport, realisht u dha të drejtë të gjithë pretendimeve kryesore të opozitës për zgjedhjet në Tiranë postfactum. Për pasojë, raporti i jep legjitimitet betejës kryesore politike të opozitës tash e tutje, që nuk dihet, megjithatë, se ç’formë do të ketë sipas të ashtuquajturit kurs i ri politik.
Le të kalojmë atëherë te përmbajtja e raportit, duke iu shmangur optikave rreptësisht partiake që dominuan emisionet e lajmeve, për ndryshe, të zëna me vrasje në familje apo aksidente emigrantësh.
Raporti në fjalë ishte shumë i rreptë me cilësinë e administrimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Ai kritikonte shumicën parlamentare, Ekzekutivin konkretisht për klimë presioni ndaj administratës për të marrë pjesë në mitingje dhe për të votuar pro kandidatëve të qeverisë. Raporti, madje, evidenton në përmbledhjen e vet disa raste, të cilat i kanë konstatuar vetë njerëzit e ODIHR-it. Ai dënonte me “vdekje” Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, një krijesë e politizuar rëndshëm, edhe me lejen dhe mirëkuptimin e opozitës. Ç’është më e rëndësishmja, ai kritikonte Kolegjin Zgjedhor dhe, si pasojë, ai konsideron si të falimentuar tërësisht sistemin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Këto kritika ishin të lidhura në mënyrë tërësore me administrimin e zgjedhjeve në Tiranë dhe, si pasojë, kritikat e OSBE/ODIHR-it rrëzojnë realisht rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. OSBE/ODIHR nuk është organizëm me atribute prokurorie që të formulojë aktakuza dhe të kërkojë dënime, por në fazën e rekomandimeve, për këto institucione dhe bazën ligjore të tyre ai jep shumë sugjerime që do të ndryshojnë shumëçka prej këtyre institucioneve.
Vërejtjet për Tiranën
Opozita pretendonte se veçanërisht me banorët romë dhe egjiptianë të kryeqytetit duhet të jenë bërë parregullsi me kartat e identitetit, dhe raporti e konsideron si real këtë shqetësim. “Mungesa e një regjistrimi dhe dokumenteve të identifikimit për komunitetin rom dhe egjiptian vazhdonin të mbeteshin një problem”, ishin fjalët e përdorura në raportin e OSBE/ODIHR-it. A mund të kenë pasur këto parregullsi ndikim në rezultatin e ngushtë që u arrit në Tiranë? Pyetje retorike.
Opozita ngriti – nuk dihet nëse e ka dërguar dhe në prokurori – shqetësimin e zhvendosjes së zgjedhësve në Tiranë, eventualisht dublimit të tyre në dy vendbanime të ndryshme njëherësh, megjithëse dhe ajo vetë e ka bërë një gjë të tillë në zona të tjera. ODIHR-i i dha të drejtë, ndërsa kërkon që zgjedhësit në të ardhmen të kenë adresa realisht të identifikueshme. Nuk dihet sa e madhe ka qenë kjo dukuri, por sigurisht, aq sa ka ndikuar në rezultatin e Tiranës.
Opozita ngriti çështjen e votave të hedhura në mënyrë të gabuar, dhe raporti u jep të drejtë pretendimeve për “ndryshim të rregullave të lojës në tavolinë” në disa pjesë të veta. Ai flet për vendime të KQZ-së, që ishin të paracaktuara “sepse kutitë ishin zhvendosur në KQZ që para marrjes së vendimit”; për marrje vendimesh, për akte normative me shumicë të thjeshtë, kur duhet të ishte ndryshe etj., etj. Raporti saktëson se “komisionerët ishin trajnuar t’i konsideronin votat e gabuara si të pavlefshme”, dhe në fazën e rekomandimeve, komisionerët e ODIHR-it nuk thonë asgjëkund se ato në amendimet e ardhshme të Kodit duhet të parashihen si të vlefshme, siç pretendon Kryeministri. Rekomandimet thjesht kërkojnë që vlera e tyre të saktësohet me ligj dhe jo arbitrarisht. D.m.th., në këto zgjedhje kishte arbitraritet në vlerësimin e tyre. Edhe këto vota ishin përcaktuese në rezultatin e Tiranës.
Opozita ngriti çështjen e mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve dhe raporti i referohet disa herë kësaj çështjeje si problematike për cilësinë e zgjedhjeve. Ajo, madje, e bën këtë edhe te pjesa e rekomandimeve, kur kërkon sanksionim ligjor të situatave të mospërputhjeve. A kishin ndikim këto vota në rezultatin e ngushtë të Tiranës? Pyetje gjithashtu retorike.
Por, mbi të gjitha, raporti në fjalë kritikon Kolegjin Zgjedhor, i cili legjitimoi “ato vendime të KQZ-së”, të cilat raporti i konsideron si pa bazë ligjore, d.m.th. si të paligjshme, të jashtëligjshme apo të kundërligjshme. Sipas raportit, Kolegji ka gabuar me miratimin e dy “vendimeve kontradiktore” të vetat, veçanërisht duke mos marrë në shqyrtim ankimimin e fundit të opozitës për pavlefshmëri; ka gabuar me të ashtuquajturin akt normativ etj., etj.
Ka dhe momente të tjera të hollësishme në raport që qartësisht tregojnë se në sytë e vëzhguesve të paanshëm ndërkombëtarë, rezultati i Tiranës është manipuluar jo thjesht proceduralisht.
Dhe tani vjen pyetja e natyrshme: cilat janë pasojat e raportit?
Raporti i një misioni ndërkombëtar për zgjedhjet shqiptare, i cili për herë të parë u drejtua nga një amerikan i rreptë, përfaqëson sistemin e referimit në gjykimet e ardhshme të ndërkombëtarëve për zgjedhjet. Është kjo arsyeja pse sakaq Kryeministri Berisha vendosi ta sakrifikojë KQZ-në, kamikazen e shumicës në këto zgjedhje, në një përpjekje për t’u dukur se respekton rekomandimet. Mbi të gjitha, ky raport do të përcaktojë qëndrimin e Bashkimit Europian për zgjedhjet. Ky qëndrim duket se që para përkthimit në shqip të raportit, ka vendosur hije serioze mbi integritetin e institucioneve dalë prej tyre, veçanërisht Bashkinë e Tiranës. Kjo u duk nga lejimi i vetëm një fotografie të thjeshtë të shefit të misionit të BE-së në një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ky raport do të përcaktojë, për pasojë, dhe ritmet e integrimit të vendit, sa kohë që një pjesë bukur e mirë e rekomandimeve të BE-së për Shqipërinë lidhen me zgjedhjet.
Ky raport nuk vlen, siç thotë dikush, për post-zgjedhjet, por si dënim për zgjedhjet lokale në Shqipëri. Transparenca e tyre, që konstatohet në raport, thjesht dhe vetëm e përkeqësoi imazhin dhe nxori në dritë problemet e tyre, apo arrogancën e dhunuesve në dritë të diellit dhe jo cilësinë e zgjedhjeve. Ndaj, niveli i reagimit politik të opozitës deri dje në orën 19:30 ishte me të vërtetë i papërshtatshëm. Reagimi i kreut të PS-së, Rama, ishte i vonuar për goditjen që ODIHR-i zgjodhi ta jepte në verë.
Gazeta “Panorama”