English

ODIHR-i nuk i mbylli sytë

Nga Arta Dade

OSBE/ODIHR-i publikoi raportin përfundimtar të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet vendore të 8 majit. Të gjitha palët e interesuara, opozita, maxhoranca e sajuar nga vjedhja e zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, si edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e BE-së, kanë pritur këtë raport për të artikuluar qëndrimet e tyre në lidhje me këto zgjedhje të konsideruara të një rëndësie parësore nga Komisioni Europian edhe në Opinionin në përgjigjen refuzuese të aplikimit që Sali Berisha bëri që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat. Për fat të keq, ashtu siç pritej, jo vetëm nga opozita, por edhe nga opinioni realisht demokratik brenda vendit, Raporti vërtetoi katërcipërisht të gjitha shqetësimet, konstatimet e provat e manipulimit të zgjedhjeve, në veçanti në Tiranë, të paraqitura nga opozita. Vetëpërmbajtja e opozitës e besimi se misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë kësaj here nuk do të mbyllte sytë ndaj masakrës elektorale janë shprehje se Partia Socialiste nuk mund ta tradhtojë bindjen se betejën e saj për demokraci e shtet të së drejtës ne do ta fitojmë në partneritet serioz me institucionet, organizatat e shtetet që nuk bëjnë kompromise me parimet themelore të demokracisë që përmes përgjithësimit të përvojave pozitive i kanë materializuar në dokumente të pranuara ndërkombëtarisht e që janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga qeveritë e vendeve, të cilat me vullnetin e tyre të lirë janë angazhuar për t’i zbatuar.

Përfshirja në raport e rasteve të dhunës ndaj mbështetësve të opozitës e presioneve mbi të punësuarit në shtet apo punonjësve të administratës publike, detyrimi i mësuesve e i punonjësve të shëndetësisë për të marrë pjesë në takimet elektorale të maxhorancës qeverisëse, kërcënimet për largime nga puna në rast humbje të kandidatëve të maxhorancës, i kanë kujtuar Sali Berishës se ai ka shkelur paragrafin 7.7 të Kartës së Kopenhagës 1990 të OSBE-së, sipas të cilit, “qeveritë e shteteve pjesëmarrëse kanë detyrë të garantojnë se ligji e politikat në sektorin publik duhet të lejojnë që fushatat të organizohen në atmosferë të lirë e të ndershme, ku të mos lejohen veprime administrative, dhune apo kërcënimi përmes të cilave pengohen partitë apo kandidatët të shprehin lirshëm pikëpamjet e tyre ose pengohen votuesit të diskutojnë të lirë me kandidatët apo votuesit pengohen të votojnë të lirë për shkak të frikës a ndëshkimit“.

Për të gjithë është e qartë që këto vërejtje janë përfshirë edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 2009-s e se autori i dhunës sistematike në të gjitha zgjedhjet që ai ka organizuar, Kryeministri i vendit, është përgjegjësi kryesor që Shqipëria, edhe pse është anëtare e NATO-s, organizatës së ngritur mbi vlerat e demokracisë, i shkel këto vlera për të mbajtur në këmbë një regjim që diskrediton edhe vetë mbështetjen e vyer të partnerëve ndërkombëtarë e nëpërkëmb besimin e tyre se Shqipëria do të bënte hapa para në konsolidimin e demokracisë.

Raporti evidenton defektet e qëllimta të maxhorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka vepruar në emër të maxhorancës qeverisëse pa dokument të bërë publik, që do të përbënte bazën ligjore për veprimet e tij. Këto veprime minuan besueshmërinë në aftësinë e KQZ-së për të funksionuar në mënyrë të pavarur e të paanshme. A nuk u shokua opinioni publik me arrogancën e mungesën e drojës së Ristanit për të cenuar votën e qytetarëve të Tiranës, veprim i cili shitet si transparencë nga Kryeministri i vendit? Kjo është arrogancë jo vetëm ndaj nesh, votuesve, por edhe ndaj ambasadorëve të nderuar që e vizituan Ristanin jo vetëm njëherë, por edhe ndaj vetë kreut të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, Stonestreet, i cili kaloi në KQZ pjesë të konsiderueshme të kohës së tij.

Zgjedhjet në Tiranë, edhe sipas raportit, nxorën në pah edhe njëherë gjendjen alarmante të gjykatave e në këtë rast të gjykatës zgjedhore e cila në vend të bënte drejtësi u vu nën diktatin e Kryeministrit duke vërtetuar shqetësimin serioz edhe të ndërkombëtareve e sidomos të Komisionit Europian për varësinë politike të gjyqësorit e mungesën e Shtetit të së Drejtës, pengesë në avancimin e axhendës sonë Europiane. Është e pafalshme për një vend që ka mbi 15 vjet që është anëtar i Këshillit të Europës e afërsisht po aq anëtar i OSBE-së që të ketë një Kolegj Zgjedhor që tejkalon kompetencat e që vendimet i argumenton në gjuhë të paqartë e pa konsistencë, pa seriozitet në shqyrtimin e provave të paraqitura. Ky kolegj u vu nën urdhrin politik të Berishës duke refuzuar jo vetëm thirrjet e opozitës për zbatim të ligjit, por edhe sugjerimet e përfaqësuesve të SHBA-ve, BE-së, KiE-së që ky kolegj të bënte drejtësi e të qëndronte larg ndikimeve të politikës në mënyrë që t’i shërbente vendit e integrimit të tij në BE.

Raporti i OSBE/ODIHR-it, i hartuar nga ekspertë të zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike, vjen si përfundim logjik i të gjitha mesazheve të qarta të partnerëve euroatlantikë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje duhet të përmbushnin standardet demokratike. Mesazhet u dhanë me anulimin e vizitës në Tiranë të Presidentit të Komisionit Europian, Departamenti i Shtetit foli qartë përmes Cantrimenit, BE kërkoi standarde përmes Ashton e Fyles. Në këtë raport janë të gjithë ata partnerë qe u artikuluan publikisht, por edhe ata që përveshën mëngët e qëndruan net të tëra atje ku numëroheshin votat e Tiranës. Është momenti për t’i falënderuar ata e për të vazhduar betejën për zgjedhje të lira e për të vënë para përgjegjësisë ligjore e politike ata që grabisin vullnetin e lirë të votuesve e vonojnë përmbushjen e aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e BE-së.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE