Nga Albin Kurti
Qeveria e Kosovës gjithmonë ka preferuar që strukturat ilegale të Serbisë në veri t’i quajë banda kriminale. Ndërkaq, atëherë kur ato kanë kryer vepra kriminale konkrete, si p.sh. djegia e pikave kufitare 1 dhe 31, Qeveria ka preferuar t’i quajë huliganë, vagabondë ose vandalë.
Gjithsesi, këtu kemi të bëjmë me një depolitizim që shtrihet në dy faza. Së pari, bandat kriminale, ndonëse janë të organizuara, nuk kanë qëllime e motive politike. Bandat kriminale bëjnë krime sepse ndjekin interesat vetjake që për nga natyra janë materiale e financiare por jo edhe politike. Së dyti, huliganët, vagabondët dhe vandalët, sigurisht që bëjnë krime të ndryshme por jo me ndonjë arsye a qëllim të qartë, e aq më pak me synim politik. Huliganë, vagabondë e vandalë tipikë janë, ta zëmë, tifozët sportivë që thyejnë makina dhe e rrahin ndonjërin që u del para teksa shpërndahen jashtë stadiumit me të përfunduar ndeshja.
Strukturat ilegale të Serbisë, jo vetëm në veri të Kosovës, sigurisht që nuk janë, thjesht, banda kriminale që kanë për pjesëtarë huliganë, vagabondë ose vandalë. Për më tepër, bandat kriminale përbëhen prej kriminelëve të organizuar dhe jo prej huliganëve, vagabondëve ose vandalëve të cilët iu përkasin turmave të dhunshme më parë sesa bandave kriminale, mirëpo kjo është një çështje tjetër, gjithsesi më pak e rëndësishme. Ndryshe prej çfarëdo bandave kriminale e huliganëve, vagabondëve a vandalëve, strukturat ilegale të Serbisë janë formuar politikisht nga Serbia, kryejnë detyra politike që ua përshkruan Qeveria e Serbisë, paguhen prej Qeverisë së Serbisë së cilës i japin llogari, dhe kanë objektiva e qëllime politike në përputhje me planet e Serbisë. Prandaj, t’i quash ato banda kriminale, huliganë, vagabondë ose vandalë, është jo vetëm një gabim por edhe shfajësim i Qeverisë së Serbisë dhe, në njëfarë mase, edhe i vetë atyre strukturave ilegale në Kosovë me të cilat Serbia dirigjon.
Madje, edhe kur kryeministri Thaçi, një herë a dy në fund të korrikut, deklaroi që dhuna në veri ishte e orkestruar nga Beogradi, e tha këtë gjë a thua se ajo nuk është ditur, a thua se vetë ai na qenka befasuar, a thua se kjo nuk paska ndodhur edhe më herët, a thua se po kumton një lajm të rëndësishëm. Në fakt, risia nuk ishte pse e morëm vesh që Beogradi e ka orkestruar dhunën në veri, por pse kryeministri Thaçi e deklaroi këtë. Ai ishte befasia, që nuk është më e befasishme pikërisht pse nuk zgjat më tutje: pas zmbrapsjes së Qeverisë së Kosovës nga veriu, fjalori i saj tash ka nisur t’i përshtatet rifillimit të bisedimeve me Serbinë të paralajmëruar për muajin shtator.
Atëherë, pse Qeveria e Kosovës bën këso cilësimesh të pavërteta e të pasakta për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë? Pse kjo prirje qeveritare për ta depolitizuar praninë dhe funksionimin e Serbisë në Kosovë? Pse lidhja politike e këtyre strukturave ilegale me Serbinë përbën veçse moment deklarativ që nuk zgjat, por jo edhe rregull veprimi të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës?
Le t’i lëmë anash ata që e bëjnë këtë nga padija duke mos qenë në gjendje të shquajnë dallimin, e po ashtu, le t’i lëmë anash edhe ata që mendojnë se dinë shumë dhe besojnë që duke i quajtur strukturat ilegale të Serbisë në veri banda kriminale apo huliganë, vagabondë e vandalë po i godasin më shumë ata. Pra, le të mos merremi me këta që nuk e dinë se çfarë po thonë në të vërtetë.
Duket që gjykimet e këtilla të Qeverisë së Kosovës të cilat padrejtësisht ua heqin strukturave ilegale të Serbisë thelbin dhe petkun e tyre politik, vijnë nga një qëndrim më parësor dhe më fondamental i kësaj Qeverie. Qeveria e Republikës së Kosovës, thjesht, refuzon ta quajë Serbinë shtet armik. Ndonëse Serbia e ka shpallur veten e saj shtet armik të Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës kurrsesi nuk dëshiron ta pranojë këtë. Në vend të shtetit armik ajo e ka rezervuar shprehjen ‘shtet fqinj’ për Serbinë. A thua se Serbia për Kosovën është njëlloj si Maqedonia, Mali i Zi apo madje edhe Shqipëria!
Nëse duan të duken të zemëruar, atëherë kryeministri Thaçi dhe qeveritarët e tjerë e quajnë Serbinë shtet kriminal, shtet me mentalitet të së kaluarës, por, sërish, assesi nuk i thonë shtet armik. Serbia patjetër që është shtet kriminal, mirëpo ajo është shumë më tepër se kaq: Serbia është shtet armik. Jo pse ne po i themi por pse ajo e ka shpallur veten të tillë: prej Kushtetutës ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, prej programeve të saj politike, ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë kundër Kosovës e deri te sjellja e veprimet e nëpunësit më të ultë shtetëror të saj, Serbia e dëshmon dhe tregon hapur që është shtet armik yni.
Kësisoj, problemet e mëdha të Kosovës në aspektin e sovranitetit dhe të integritetit territorial nuk vijnë pse Serbia nuk e pranon pavarësinë e shtetit të Kosovës, por pse Qeveria e Kosovës nuk e njeh Serbinë si shtet armik. Në vend se të preokupohemi kur do të na e njohë Serbia pavarësinë e shpallur të Kosovës, duhet të përqendrohemi te njohja që Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë Serbisë ashtu siç ajo e ka shpallur veten, pra: shtet armik. Fjalët, sidomos ato qeveritare, pa dyshim se janë shumë të rëndësishme. Sepse ato organizojnë (keq)kuptime dhe nxisin (mos)veprime. Ato rrëfejnë të shkuarën dhe orientojnë të ardhmen.
Fjalët e aktualitetit qeveritar dhe të së ardhmes së afërt politike e shpërfaqin pse Qeveria e Kosovës, në rastin më të mirë dhe ashtu me të rrallë, kufizohet në vlerësimin e Serbisë si shtet kriminal por kurrsesi si shtet armik. Armikun duhet ta mundësh, duhet të ngadhënjesh mbi armikun, ndërsa mbi kriminelin duhet të veprojë veçse ndonjë gjykatë e drejtësisë. Kjo është arsyeja pse Qeveria e Kosovës pasi që u zmbraps nga veriu nuk e vë më theksin te aksionet e sërishme shtetërore për vendosjen e kontrollin në pikat kufitare dhe në veriun në përgjithësi, por vetëm te hetimet dhe ndjekja e vrasësve të policit Enver Zymberi. Qeveria e Kosovës nuk do që t’i mund strukturat ilegale dhe armiqësore të Serbisë në veri por vetëm ndonjërin, ose disa prej pjesëtarëve të tyre, KFOR-i a EULEX-i mundësisht t’i nxjerrin para drejtësisë. Fitorja e atyre kriminelëve të strukturave ilegale të Serbisë në veri, nuk vjen pse ata janë në liri (përkundër vrasjes së Enver Zymberit), por, mbi të gjitha, pse Qeveria e Kosovës u zmbraps prej veriut (pas vrasjes së Enver Zymberit).
Armiku ka të bëjë me të ardhmen. Armiqësia e armikut ta imponon pasjen e ushtrisë, hartimin dhe zbatimin e planit strategjik shtetëror për mbrojtje e sulm, aktivizimin e resurseve institucionale, politike e shoqërore për t’u bërë ashtu siç jemi shpallur: të pavarur e sovranë. Mu për këto arsye Qeveria e Kosovës nuk e quan Serbinë shtet armik. Një Qeveri që, para së gjithash, synon mbijetesë për veten e saj, nuk mund t’i sigurojë fitore shtetit. Për më keq se kaq, ajo do të hyjë në pazare të reja me Serbinë për veriun e Kosovës. Pasi që u zmbraps nga veriu, duke mos e quajtur asnjëherë Serbinë armike por eventualisht kriminale, tash Qeveria e Kosovës do t’i hyjë procesit të bisedimeve për një status special për veriun siç njoftoi një zyrtar i lartë i PDK-së, gjë që shpie te legalizimi pikërisht i atyre kriminelëve dhe te shpërblimi politik për krimin e tyre.
Një mik imi më fliste një ditë se sa shumë na urren neve Serbia. I thashë që nuk jam i sigurt për këtë. Serbia e urren Kroacinë e cila ngadhënjeu mbi të kurse ndaj Kosovës dhe shqiptarëve ka më shumë ndjenjë përçmimi e përbuzjeje. Dinjiteti ynë ka mbetur i parestauruar karshi Serbisë. Kur shqiptari që është nisur për në Gjilan kalon nëpër Graçanicë (pa folur fare për veriun e Mitrovicës), shumë më tepër ka gjasa që edhe sot e kësaj dite më shumë është i shqetësuar shqiptari në makinën që e vozit sesa ndonjë serb në trotuar që ka qëlluar aty kur e sheh shqiptarin.
Kosovës, më shumë se kurrë, i nevojitet fitorja mbi strukturat ilegale dhe armiqësore të Serbisë në Kosovë. Kjo është e domosdoshme për dinjitetin dhe krenarinë e popullit të Kosovës si dhe për konsolidimin dhe respektin e shtetit të Kosovës. Shumë më mirë është të kemi fitore mbi Serbinë, qoftë ajo edhe pa ndëshkim për politikanët e saj, sesa të kemi ndonjë ndëshkim ndërkombëtar mbi disa politikanë (të strukturave ilegale) të Serbisë, pa fitore për neve si shtet e si popull. Fitorja, dhe jo mbijetesa, janë jetesa e vërtetë.