Shkodër, 17 gusht 2011, NOA/Arjola Ymeraj – Dy ditë pas publikimit të raportit final të OSBE/ODIHR-it ku përveç aspekteve pozitive të transparencës dhe kompetitivitetit adresoheshin edhe kritika sa i përket polarizimit të procesit zgjedhor mes opozitës dhe mazhorancës, sot ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi.
Nga qyteti i Shkodrës ku mori pjesë në çeljen e ekspozitës “Europa në zemrën time”, ambasadori i BE-së në vendin tonë i bëri thirrje dy forcave të mëdha politike në vend të nisin sa më parë dialogun për të vënë në jetë rekomandimet për reformën zgjedhore dhe reformat e tjera integruese në vend, të mbetura peng për shkak të ngërçit të tejzgjatur politik.
“Po u ripërsëris të njëjtin refren partive politike, që të nisin dialogun në mënyrë që të vijojnë reformat. Për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të kryhen të gjitha reformat e kërkuara”, u shpreh ambasadori Sequi.
Në këtë suazë ai apeloi që partitë politike të pranojnë mesazhin e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë e të respektojnë rekomandimet për reformën zgjedhore të përditësuara në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 Majit.
Ndërkohë raporti i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it nën drejtimin e amerikanit Jonathan Stonestreet i publikuar tre muaj pas zgjedhjeve administrative të 8 majit i vlerësoi zgjedhjet lokale si konkuruese dhe transparente, por tejet të polarizuara dhe me mungesë besimi mes qeverisë dhe opozitës.
Raporti theksoi se zgjedhjet administrative u zhvilluan në një mjedis politik të tensionuar pas krizës dhe demonstratës së dhunshme të 21 janarit ku mbetën të vdekur katër demonstrues.
Gjithashtu ai adresoi kritika për dy partitë e mëdha, duke nënvizuar se sikundër edhe në zgjedhjet e mëparshme ato nuk kryen detyrimet e tyre elektorale në mënyrë të përgjegjshme duke ndikuar negativisht në administrimin e zgjedhjeve.
Raporti i OSBE/ODIHR-it shkruante më tej se mosmarrëveshjet partiake brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votimin e një sërë vendimesh me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar votash dobësuan funksionimin e këtij institucioni zgjedhor. Misioni i vëzhguesve theksoi në raportin final se disa dispozita të Kodit Zgjedhor janë larg standardeve më të mira ndërkombëtare.
Sipas raportit Kodi Zgjedhor është i paqartë në disa pika dhe ka boshllëqe dhe dykuptimësi sa i përket zgjedhjeve vendore.
Ndërkohë që edhe KZAZ-të i tejkaluan afatet për numërimin e votave duke ndikuar negativisht në proces dhe në tejzgjatjen e tij.
Ndërkohë raporti vlerëson përpjekjet për zvogëlimin e dublimeve në listat e zgjedhësve, duke vërejtur se duhen përmirësuar ende.
Raporti i OSBE/ODIHR-it vlerësoi se procesi i votimit shkoi mirë në 384 Qendra Votimi, ndërkohë që pati probleme në 10 përqind të tyre, sa i përket kërkesave ligjore si respektimi i plotë i fshehtësisë së votës dhe implementimi i ruajtjes së integritetit zgjedhor.
Ndërsa procesi i numërimit ishte tejet i gjatë e me ndërhyrje të panevojshme nga partitë politike, madje në disa KZAZ nuk iu përmbajt procedurave ligjore.
Duke iu referuar garës për Tiranën raporti vlerëson se veprimet post-zgjedhore të ndërmarra nga KQZ me qëllim përcaktimin e rezultatit të garës në Tiranë, edhe pse u mbështetën nga Kolegji Zgjedhor, dëmtuan besimin se KQZ po vepronte si një organizëm i paanshëm dhe i pavarur.
Më tej raporti i OSBE/ODIHR-it sjell një sërë rekomandimesh për zgjedhjet e ardhshme ku nënvizon nisjen e dialogut për të kryer reformën zgjedhore dhe përmirësimin e Kodit Zgjedhor, ndërkohë që sipas raportit duhet të rishikohet edhe formula e KQZ-së në mënyrë që ajo të jetë e paanshme dhe e pavarur politikisht nga asnjë parti.
mit/NOA