English

Rrëfimi i sipërmarrësit shqiptar: Jam penduar dhe po vuaj për vdekjen e 4 francezëve

E mërkurë, 17 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Pas aksidentit në Itali në të cilin mbetën të vdekur katër të rinj turistë francez, duke ecur në drejtim të kundërt në autostradë, shqiptari Ilir Beti autor i aksidentit shfaq pendesë.

Shqiptari i cili pavarësisht aksidentit mori vetëm disa dëmtime të lehta dhe mbeti i gjallë, ndërsa familjarëve të viktimave u thotë se, “Jam një njeri i vdekur, duhet të kisha vdekur edhe unë. Pas asaj që ndodhi unë nuk do të ngasë kurrë më makinë”.

Pas lirisë së tij prej katër ditësh pas aksidentit, shqiptari i moshës 35 vjeçare u arrestua sot nën akuzën e vrasjes në kushte të rënduara.

Siç raportojnë mediat italiane për shqiptarin Beti nuk është hera e parë që ndodh kjo ngjarje, pasi në vitin 2006 kishte pasur një precedent për drejtim të makinës në gjendje të dehur.

Deri më sot Ilir Beti, sipërmarrës i ndërtimeve në Itali ishte hetuar në gjendje të lirë për vrasje dhe plagosje nga pakujdesia në gjendje të dehur.

Por fakti se ai kishte qëndruar i lirë kishte irrituar së tepërmi të afërmit e viktimave.

Vetëm pak para lajmit për arrestimin e tij, 35 vjeçari lëshoi një deklaratë për mediat duke thënë se, “Dua tu bëj me dije familjarëve të të rinjve të vdekur dhe gjithë atyre që po vuajnë për këtë ngjarje, se për këtë tragjedi të rëndë jam shumë i dëshpëruar dhe se kam qarë, qaj dhe do qaj përjetë për ta”.

Më tej ai shton se, “Nuk mbaj mend asgjë nga aksidenti, por mund të them vetëm që në jetën time i kam kaluar shpesh 60 mijë kilometra në vit dhe nuk kam pasur asnjëherë aksident, por unë premtoj se nga sot nuk do të drejtoj më makinën, pasi kam shkatërruar dy jetë, të timen dhe atë të familjes sime”.

Por menjëherë pas aksidentit shqiptari Ilir Beti shkoi në vendngjarje për të marrë telefonin që i kishte humbur.

Por fill pas kësaj tragjedie Beti shfaqet i shqetësuar dhe u bën të ditur familjarëve të viktimave që nga ajo natë nuk ka arritur më të mbyllë sy.

“Është një tragjedi tepër e madhe për mua, jetoj në dëshpërim, jeta ime kishte qenë gjithmonë e qetë, tashmë nuk ka më kuptim ekzistenca ime”, deklaron 35 vjeçari.

Ndërkaq mediat italiane i shohin me dyshim fjalët e pendimit të Ilir Betit, duke thënë se vetëm zoti e di nëse ato janë të vërteta.

Ndërkaq policia italiane tha se makina e shqiptarit, një Audi Q7, po ecte në kahun e kundërt në zonën Ovada në Aleksandri, në afërsi të A7 dhe A27.

Fillimisht ai u përplas me një Peugeot dhe më tej me makinën e të rinjve francezë, një Opel Astra.

a.y/NOA

KOMENTE