Prishtinë, 17 gusht 2011, NOA – Të hënën e ardhshme kancelarja gjermane Angela Merkel mbërrin në Beograd me kërkesën që të normalizohet situata në veriun e Kosovës, mbi të gjitha në dogana dhe gjykata duke apeluar që marrëveshja të arrihet përmes dialogut të Prishtinës dhe Beogradit.
Frika e Beogradit se normalizimi i situatës në veri nënkupton vënien e doganave dhe të gjyqësorit nën kontrollin e Prishtinës dhe fakti se nëse e refuzon do të thotë se Beogradi do të ballafaqohet me bllokimin e integrimeve në BE, kanë shkaktuar nervozizëm dhe deklarata të ashpra të zyrtarëve serbë.
Ata thonë se Serbia nuk do t’i kalojë linjat e kuqe dhe se për shkak të integrimit në BE, Beogradi nuk do të heqë dorë nga Kosova.
“Nuk kanë nevojë të insistojnë në dialog, sepse ne jemi të përcaktuar për dialog dhe do të japim maksimumin që të arrihet kompromisi. Por, është iluzion që nga ne të kërkohet që të pranojmë diçka që është në kundërshtim me interesat shtetërore. Nuk mund të bisedojmë për këtë, ta zëmë, që të ardhurat e doganave të shkojnë në Prishtinë sepse kjo do të thotë se po e financojmë shtetin e vetëshpallur shqiptar. Por, mund t'i kemi parasysh të ardhurat që mbesin te komunat lokale për zhvillimin e tyre”, ka thënë për “Blic”, siç raporton Telegrafi, i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç.
Nervozizmi i zyrtarëve në Beograd para ardhjes së kancelares Merkel dhe pasiguria se sa ajo do të jetë këmbëngulëse që veriu i Kosovës të vihet nën kontrollin e Prishtinës, shihet edhe në deklaratat e zëvendëskryeministrit Ivica Daçiç si dhe nënkryeministrit Bozhidar Gjeliç, i cili tha për gazetarët se “nuk e sheh dëshirën e bashkësisë ndërkombëtare për ta ndaluar Serbinë që të futet në BE”, sepse me kërkesat që “të pranohet Kosova praktikisht do të thotë ngritja e laurës për integrime evropiane”.
Daçiç inkurajoi të martën zyrtarët më të lartë shtetërorë që t’i thonë bashkësisë ndërkombëtare se “Serbia nuk mund të tregtojë me interesat nacionale dhe shtetërore në dobi të integrimit në BE”.
Vlladimir Todoriç, nga Qendra për politikë të re, theksoi për “Blic” se mundësia për marrëveshje për ndarje të Kosovës “de jure” ka rënë dhe se tani është momenti të bisedohet për planin “Ahtisaari plus”, i cili do të përfshinte edhe çështjen e statusit të enklavave serbe në jugun e Kosovës.
Siç shkruante më herët “Koha Ditore”, BE planifikon autonominë substanciale për veriun e Kosovës, ku komunat serbe do të fitonin një shkallë të pavarësisë financiare.
Gazeta prishtinase thotë më tej se hollësitë e tjera, si dokumentet, tabelat, gjyqësore etj., do të zgjidhen me dialogun nën ndërmjetësimin e BE-së.
Por, askush në Serbi e as në Kosovë nuk i kanë konfirmuar këto deklarata.
Koha Ditore/NOA