English

SHBA, Reeker: Mbështesim autoritetin e Kosovës në veri

Prishtinë, 17 gusht 2011, NOA – Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksojnë mbështetjen ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke nënvizuar mbështetjen për zbatimin e Planit Ahtisaari dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të Kosovës.

Këtë mbështetje të SHBA-ve e artikuloi sotPrishtinë Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, gjatë takimit me kryeministrin Hashim Thaçi.

Pasi e falënderoi për mikpritjen, Reeker ritheksoi qëndrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë legjitime që të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin e vendit”, u shpreh zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e njohu zyrtarin amerikan me zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

Ai ripërsëriti përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, ku tashmë e 12 vite ka mbizotëruar krimi i organizuar, kontrabanda dhe dukuritë tjera negative, nga strukturat kriminale në atë pjesë të vendit.

Shefi i qeverisë theksoi se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në tërësi në pjesën veriore të Kosovës është një vendim legjitim, i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në Pakon e Presidentit Ahtisaari dhe, mbi të gjitha, i bazuar në domosdoshmërinë e sundimit të rendit, ligjit dhe ndaljes së kontrabandës e krimit të organizuar në atë pjesë të territorit të vendit.

“Ky vendim ka krijuar rrethana të reja, realitetin e ri, situatën e re, një kapitull të ri, atë të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh Kryeministri.

“Në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, ne do të vazhdojmë përkushtimet tona për të përmbyllur me sukses të plotë kapitullin e ri të vendosjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit, duke funksionalizuar gjykatat, duke shpërbërë strukturat kriminale, duke luftuar dukuritë tjera negative në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime etnike, është në të mirën e zhvillimit ekonomik, të integrimit, të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Në këtë drejtim nuk do të ketë kthim prapa”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi falenderoi zyrtarin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Qeverisë së Kosovës.

“SHBA-të gjithmonë kanë qenë mbështetës të fuqishëm për vënien e rendit dhe ligjit dhe respektimin e plotë të integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, për çka u jam mirënjohës”, nënvizoi Thaçi.

Pasdite Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, pritet të vizitojë manastirin e Graçanicës, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

Vizita e Reeker në Kosovë, është e para në Kosovë në cilësinë e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit.

mit/NOA

KOMENTE