Nga Mustafa Nano
Ka një garë të ethshme për t’u takuar me Eliza Dushkun. I pari në radhë ishte Lulzim Basha, i cili i kërkoi që të bënte ambasadoren e Shqipërisë nëpër botë. Kjo pranoi. Nuk e ka të qartë se ç’do të thotë të jesh “ambasadore e Shqipërisë nëpër botë” (as unë s’e kam të qartë), por pranoi. Dhe duke dalë nga takimi, citohet të ketë thënë se “Lulzim Basha është një politikan i ndershëm”. Pastaj ishte hera e Presidentit, i cili, siç ishte programuar, dekretoi në prani të kamerave dhënien e shtetësisë shqiptare për aktoren e Hollywood-it me origjinë shqiptare.
Njerëzit do kenë pyetur: “Si ka mundësi që Berisha e la këtë rast t’i ikë nga dora? Ky që s’e ka për gjë të rrijë dy orë dhe me një rob, që ka ‘meritën’ të jetë vëlla egzotik i Obama-s, nuk gjen kohë të takojë Elizën tonë të madhe?” Në fakt, është pyetje e pavend dhe e pamend. Kush e bën këtë pyetje, do duhej ta dinte se Berisha nuk mund të rrinte pa e takuar aktoren, që është shndërruar krejt papritur, e një dreq e di se pse, në kukllën e regjimit të Tiranës. Berisha do të takohej se s’bën me të. Ja, u takua sot. Dhe i dha pasaportën biometrike.
E kanë takuar dhe plot të tjerë. Nëse Eliza Jonë do të rrijë edhe ca kohë në Tiranë, po ofrohem dhe unë për një takim me të. Nuk i ofroj vizibilitet, Nuk kam ndonjë shtetësi , apo pasaportë, për t’i dhënë. Thjesht kam dëshirë ta njoh. Përveç kësaj, më pëlqen si aktore, e kam dëshirë t’ia them që më pëlqen si aktore. Më duket dhe sexy. Ndoshta dhe këtë mund t’ia them. Ndoshta ndodh ndonjë liaison. Kushedi? Por do t’i them në fund një gjë shumë të rëndësishme: “Eliza, na mbive në sy si logo e bukur e një regjimi, dhe kjo nuk të ka hije”.
Kush bën agjendën e takimeve të Elizës, le ta ketë parasysh dhe këtë kërkesën time.