Tiranë, 17 Gusht 2011 NOA/ Arlinda Koçi - Pas një studimi të fundit, tani për njerëzit të cilët thonë se janë shumë të zënë për të ushtruar veprimtari sportive, nuk ekziston asnjë justifikim, pasi shkencëtarët zbuluan se vetëm 15 minuta aktivitet në ditë është e mjaftueshme për të zgjatur jetën tuaj tre vjet.
Ky studim është kryer duke konstatuar evoluimin tek një person i cili është ushtruar për plot 100 minuta në ditë, pas së cilës janë parë shumë dobi.
Një aktivitet i fuqishëm për periudha të shkurtra kohore rezulton të ketë efekte të njëjta me një aktivitet më pak intensiv në një periudhë më të gjatë kohore.
Ushtrimi i veprimtarive u pa të ketë edhe një efekt tepër të madh mbrojtës kundër sëmundjes së kancerit.
Studimi u bë i mundur nga Instituti Kombëtar i Shëndetit në Zhunan – Taiwan, studim i cili përfshiu më shumë se 400.000 njerëz në një program mjekësor. Pjesëmarrësit, të cilët ishin të gjithë të moshës 20 vjeç e lart, u pyetën rreth aktivitetit të tyre javor dhe kohës së tyre të lirë fizike. Ata u vendosën pastaj në një prej pesë kategorive të bazuara në një formulë që mori parasysh edhe intensivitetin, edhe kohëzgjatjen e veprimtarisë.
Emërtimet e grupeve të ndryshme ishin “jo aktive”, “të ulët”, “të mesme”, “të lartë”, dhe “shumë të lartë ".
Personat që bënin pjesë në grupin me vëllim “të ulët”, mesatarisht ushtroheshin për 92 minuta në javë, ose 15 minuta në ditë.
Studimi u krye nga doktoresha Chi-Pang Wen, e cila u shpreh: "Personat që stërviten në një mesatare ditore prej 15 minutash dhe kanë një intensitet mesatar në stërvitje gëzojnë përfitime të konsiderueshme shëndetësore në krahasim me individët të cilët janë jo aktivë.”
“Ndërkohë që njerëzit që duan të ushtrojnë veprimtari sportive, por pretendojnë se nuk kanë shumë kohë në dispozicion mund të përfitojnë nga efektet pozitive, nëse ata ushtrojnë një aktivitet të fuqishëm dhe me intensitet, një herë ose edhe dy herë në javë (p.sh. në fundjavë).” – thanë studiuesit.
Nga ana tjetër ata paralajmëruan se ndërprerja e aktivitetit për vetëm dy ditë rrit mundësinë për lëndim dhe sulme të zemrës.
Studiuesit shpresojnë se këto studime do të ndihmojnë shumë njerëz të kuptojnë se ka shumë mënyra për të ushtruar veprimtari dhe kështu, për t’u kujdesur për shëndetin tuaj.
Edhe aktivitetet si ecja në një ritëm normal, mund t’ju ndihmojnë shumë në shfaqjen e një liste të gjatë avantazhesh që kanë të bëjnë me përkujdesjen ndaj jush.
a.k/e.t/NOA