E enjte, 18 gusht 2011, NOA- Elitat politike në Maqedoni pa marrë parasysh nëse i takojnë opozitës ose partive qeveritare duhet të jenë të vetëdijshëm se çka do të thotë zgjidhja e kontestit për emrin. Tani është koha kur elitat politike duhet të përballen me këtë çështje, deklaroi sot zëvendëskryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi, e cila referoi para Komisionit të Kuvendit për çështje evropiane për prioritetet në punë.
"Gjithmonë nuk është e mjaftueshme vetëm të tregoni se keni përfunduar gjithçka mirë, por është e domosdoshme ta bëni këtë që e keni obligim dhe që duhet ta bëni. Nuk them se ne nuk i bëjmë punët mirë, por në të njëjtën kohë, ka punë të cilat mund të jenë të pakëndshme me të cilat duhet të përballemi", tha Arifi.
Problemi është i qartë, shtoi ajo, por pritjet janë që pala tjetër (Greqia) të tregojë vullnet të njëjtë për zgjidhjen e tij sikur atë që e tregon Maqedonia.
Ajo përmendi rolin e Parlamentit në ndërtimin e konsensusit për çështje të caktuara. "Në Kuvend më mirë mund të shihet pjekuria politike e një shteti", tha Arifi.
Deri më 5 shtator, informoi zëvendëskryeministrja duhet të përfundohen obligimet që i janë theksuar para disa kohe nga ana e drejtorit të Drejtorisë për zgjerim të BE-së, Stefano Samino. Rekomandimet kanë të bëjnë kryesisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratën.
Pjesa më e madhe e rekomandimeve janë në proces të realizimit, ndërsa disa janë në fazën përfundimtare. Arifi është optimist se do ato do të zgjidhen deri më 5 shtator dhe Maqedonia do të ketë pozicion më të mirë para mbylljes së raportit nga mesi i shtatorit, por edhe pozicion para fillimit të negociatave për hyrje në BE.
KE-ja më 12 tetor do ta publikojë Raportin e ri për progresin e Maqedonisë. Deputetët ishin të kënaqur nga dalja e Arifit, e cila paralajmëroi transparencë më të madhe në punë. (INA)/NOA