E enjte, 18 gusht 2011, NOA- Me rastin e ditës ndërkombëtare humanitare që përkon me ditën e nesërme 19 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, jep mesazhin e tij, duke thënë se nuk ka patur kurrë ndonjë vit pa një krizë humanitare.
“Kudo që ka njerëz në nevojë ka njerëz që i ndihmojnë ata - burra dhe gra që punojnë së bashku për të lehtësuar vuajtjet e për të risjellë shpresën. Nga Japonia deri në Sudan, nga Pakistani në Kepin e Afrikës, punonjësit humanitarë ndihmojnë njerëz të cilët kanë humbur shtëpitë e tyre, të dashurit e tyre, burime e të ardhurat”, thuhet në mesazhin e Moon.
Më tej ai shton se këta punonjës humanitarë shpesh provojnë rrezikun maksimal larg shtëpive të tyre pasi punojnë me orë të zgjatura, në kushte nga më të vështirat, por siç thekson ai përpjekjet e tyre shpëtojnë jetë njerëzish nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore.
Sipas tij, këta punonjës e bëjnë botën më të vogël duke i kujtuar njerëzit që të gjithë janë një familje, që ndajnë një ëndërr për një planet në paqe, në të cilin njerëzit mund të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet.
Mesazhi i Moon vijon me fjalët, “Në ditën Ndërkombëtare Humanitare ne nderojmë këta punonjës humanitarë e i falenderojmë për dedikimin e tyre. Ju atribuojmë mirënjohje atyre që kanë bërë sakrifica sublime në Afganistan, Haiti e më tej. Shumë kanë vdekur, të tjerë kanë vuajtur humbje gjatë kohës së detyrës së tyre. Ne premtojmë përpjekjen maksimale që të sigurojmë humanitarët botërorë të punojnë të sigurt. Kjo është një ditë në të cilën ne analizojmë jetët tona e pyesim se ç’mund të bëjmë më tepër për të ndihmuar, për të larguar njerëzit nga konflikti, fatkeqësitë dhe varfëria. Le të lëmë ata që sot i nderojmë, të na frymëzojnë në nisjen e udhëtimit tonë për të kontribuar të gjithë në ndërtimin e një vendi më të mirë, ku familja njerëzore jeton afër”.
a.y/NOA