Prishtinë, 18 gusht, NOA - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar njohjen e 80-të për shtetin e Kosovës, nga Republika e Beninit.
"Njohja nga Benini i është dorëzuar sot, zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës, z. Behgjet Pacolli nga Presidenti i Beninit Yayi Boni gjatë takimit zyrtar. Kjo njohje është rezultat i aktiviteteve të vazhdueshme lobuese të zotit Pacolli në kuadër të diplomacisë së tij në shtetet veç e veç. Gjatë ditës ju dërgojmë edhe notën verbale të njohjes", thuhet në një njoftim të zyrës së Pacollit.
Republika e Beninit kufizohet me Togon, Nigerinë, Burkina Fason dhe Nigerin. Kryeqyteti i Beninit është Porto Novo me një sipërfaqe prej 110 mijë kilometrash dhe me rreth 9 milion banorë.
"Aktivitetet lobuese të zotit Pacolli do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me që rast për njohjet do të informoni me kohë", thuhet më tej në njoftim.
NOA