Tiranë, 18 gusht 2011, NOA – Me propozim të ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, Qeveria miratoi gjatë mbledhjes së sotme një fond shtesë pagash prej 47 100 000 lekësh në buxhetin e vitit për Institutin e Statistikave si dhe një tjetër fond për shpenzime operative në vlerën e 31 000 000 lekëve për organizimin dhe zbatimin e projektit të censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave.
Gjithashtu mbledhja e ekzekutivit vendosi që ky fond shtesë të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Ndërkohë që u vendos edhe lejimi i shtyrjes së afatit të kryerjes së procedurave të prokurimit, për Institutin e Statistikave.
Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Financave dhe Instituti i Statistikave. Vendimi i sotëm për shtesën e fondit u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, të nenit 75, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin Publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8669, datë 26.10.2000, “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave”, të ndryshuar.
Debati publik për regjistrimin e popullsisë ishte sot një nga pikat e mbledhjes së qeverisë, ndërsa kryeministri akuzoi kundërshtarët e këtij ligji, si mjeranë politikë që nuk meritojnë postet që mbajnë.
mit/NOA