English

Gjykata urdhëron nxjerrjen e minatorëve nga greva

Nxehet situata në minierën e Bulqizës pas vendimit të Gjykatës së Dibrës për nxjerrjen jashtë të minatorëve grevistë dhe marrjen në dorëzim të minierës nga specialistët

Bulqizë, 18 gusht 2011, NOA/Arjola Ymeraj – Plot 25 ditë nga nisja e grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës në galeritë e minierës së kromit, Gjykata e Rrethit të Dibrës ka pranuar kërkesën e ministrisë së Ekonomisë duke vendosur nxjerrjen jashtë mjediseve të minierës të minatorëve të ngujuar.

Gjykata e Dibrës vendosi sot pranimin e kërkesës, lejimin e specialistëve të minierave të hyjnë dhe të marrin masat për eliminimin e rreziqeve për jetën dhe shëndetin e minatorëve në minierë dhe nxjerrjen jashtë të minatorëve grevistë nga ambjentet e minierës së Bulqizës, ku janë ngujuar prej 25 ditësh.

Lajmin për pranimin e kërkesës nga gjykata e publikoi Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila bazuar mbi këtë vendim të formës së prerë i kërkoi sot strukturave të policisë së shtetit të zbatojnë menjëherë vendimin e Gjykatës së Dibrës.

METE tri ditë më parë i drejtoi një kërkesë Gjykatës së Dibrës, që të vendoste për mbrojtjen e jetës së minatorëve dhe interesave pasurore të shtetit në Minierën e Bulqizës.

Kërkesa kishte për qëllim zhbllokimin e situatës së rrezikshme të krijuar në mjediset e brendshme të minierës së kromit për shkak të zhvillimit aty të grevës së urisë nga një grup minatorësh.

Ashtu siç kishin theksuar ditë më parë ekspertë të Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave, edhe në këtë kërkesë bëhej me dije se ndërprerja e punës në minierë për shkak të grevës së urisë ka krijuar rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e grevistëve.

METE, thekson në kërkesë se nga ndërprerja e punës në minierë, shtetit shqiptar po i shkaktohen dëme të pallogaritshme ekonomike dhe financiare.

“Moskryerja e veprimtarive jetike për mirëmbajtjen e minierës përbën bllokimin e minierës duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e makinerive të instaluara në minierë, të cilat arrijnë një vlerë të konsiderueshme financiare”, thuhet në deklaratën e METE-s.

Ky vendim erdhi pas këmbënguljes së minatorëve për të mos lëshuar mjediset e minierës dhe për të vijuar grevën e urisë pa fat deri në një marrëveshje me ACR-në për rritjen e pagës me 20 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë ku ata rrezikojnë jetën përditë.

Ditët e fundit pas mosarritjes ende të plotësimit të kërkesave, 10 prej minatorëve grevistë u zëvendësuan nga 10 të tjerë duke nënkuptuar se greva do të vijonte pa një fund dhe vetëm me një fillim, i cili u shënua 25 ditë më parë, me hyrjen në grevë të një grupi prej 21 minatorësh.

Por, minatorët me të marrë vesh vendimin e gjykatës kanë bllokuar ashensorët që lejojnë futjen në galeri ku ndodhen kolegët e tyre të ngujuar, duke shprehur vendosmërinë për moslejimin e nxjerrjes jashtë saj me forcë të grevistëve.

mit/NOA

KOMENTE