English

Krimet në Siri, Obama pritet t’i kërkojë zyrtarisht dorëheqjen Bashar al Assad

Uashington, 18 gusht 2011, NOA – Kur represioni i përgjakshëm i regjimit sirian ndaj protestuesve nuk ka të sosur, Presidenti amerikan Barack Obama pritet t’i kërkojë sot zyrtarisht presidentit sirian Bashar al Assad të largohet nga pushteti.

Lajmin e bëri publik agjencia Reuters, e cila citoi burime nga qeveria e SHBA-ve.

Administrata e Obamës pritet të lëshojë sanksione edhe më të ashpra ndaj regjimit sirian, që po përgjak dita ditës popullin sirian që kërkon vendosjen e demokracisë në vend.

Këto sanksione të SHBA-ve vijnë në një kohë kur Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për ndaljen e represionit në Siri që ka marrë përmasat e krimeve kundër njerëzimit.

Këtë e artikuloi një mision i posaçëm i dërguar nga komisariati i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut.

Misioni mbërriti në Siri për të hetuar dhunën e regjimit ndaj protestuesve sirianë.

Sipas misionit dhunimi i të drejtave të njeriut me sulme sistematike kundër popullatës civile mund të rezultojë si krime kundër njerëzimit.

Ndërkohë, vetë presidenti sirian Bashar Al Assad përmes një telefonate e ka siguruar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon se ai e ka ndërprerë ofensivën ushtarake dhe policore ndaj protestuesve në shumë prej qyteteve të vendit.

Por, kjo gjë nuk pohohet nga aktivistë të të drejtave të njeriut dhe dëshmitarë okularë.

Ata thonë se së fundmi forcat e Assadit kanë vrarë të paktën dy civilë në provincën Homs, një numër i madh arrestesh janë kryer në Damask dhe përleshje me armë dhe prania e tankeve ushtarakë vërehen ende në qendrat urbane Hama, Daraa dhe Dayr az Zor.

Që prej nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit janë vrarë më shumë se 250 civilë nga regjimi i presidentit Assad, ndër mëse 1600 të vrarë totalisht, ndërkohë që protestat e paprecedenta për rrëzimin e Assad nga pushteti shpërthyen prej pesë muajsh si pjesë e një vale revoltash në Tunizi e Egjipt.

mit/NOA

KOMENTE