English

Kryeministri: “One Stop Shop” për lejet e ndërtimit në kryeqytet

Tiranë, 18 gusht 2011, NOA/Arjola Ymeraj – Ndërkohë që Bashkia e Tiranës brenda dhjetë ditëve të fundit ka nisur një aksion për shembjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet, të kthyera në gangrenën e qytetarëve të Tiranës 11 vitet e fundit, por ndoshta edhe më herët, Kryeministri Sali Berisha që kishte si kryefjalë të mbledhjes së sotme të qeverisë luftën kundër korrupsionit deklaroi se lejet e ndërtimit nuk do të jenë më mjeti i korrupsionit për bashkinë e Tiranës.

Shefi i ekzekutivit lajmëroi se po shihet mundësia për implementimin e një procedure “One Stop Shop” edhe sa i përket dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë.

Kryeministri akuzoi administratën e kaluar të bashkisë së Tiranës e kryesuar për 11 vite nga ish-kryebashkiaku socialist Edi Rama se përmes korrupsionit të tmerrshëm me lejet e ndërtimit në Tiranë e kishte renditur bashkinë në vendin e 173-të në botë sa i takon dhënies së lejeve të ndërtimit.

Në këtë suazë zoti Berisha vlerësoi nismën e ekspertëve të bashkisë për implementimin e procedurës “One Stop Shop” në dhënien e lejeve të ndërtimit.

“Jam inkurajuar nga fakti se Bashkia e Tiranës po shqyrton mundësitë për krijimin e një procedure ‘One stop shop’ për lejet e ndërtimit në kryeqytet”, theksoi kryeministri.

Ai bëri me dije se dhënia e lejeve të ndërtimit duhet të bëhet me procedura dixhitale, që sipas tij sigurojnë transparencën maksimale.

Shefi i qeverisë nënvizoi se procedura ‘One Stop Shop’ ka rezultuar e suksesshme në vendin tonë dhe ka shënuar një hap të jashtëzakonshëm kundër korrupsionit.

mit/NOA

KOMENTE