English

Muret e gushtit

Nga Nina L. Khrushcheva

Ngjarjet historike kurrë nuk kanë qenë më mirë të renditura se këtë verë. Pesëdhjetë vjet më parë në këtë muaj lindi Muri i Berlinit. Pas hezitimit fillestar, Nikita Khrushchev, lideri i Bashkimit Sovjetik, ia dha lejen homologut të tij gjermano-lindor, Walter Ulbricht, që ta ngrejë një barrierë midis Berlinit lindor dhe atij perëndimor, për ta siguruar mbijetesën e komunizmit në tërë bllokun sovjetik. Deri në atë pikë, Gjermania Lindore i kishte humbur tre milionë njerëz – përfshirë shumicën e më të talentuarve – derisa qindra njerëz largoheshin për çdo ditë në zonat e Berlinit që kontrolloheshin prej SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës.

Po ashtu, 20 vjet më parë në gusht, pjesa radikale e qeverisë sovjetike tentoi që ta rrëzonte nga pushteti presidentin Mikhail Gorbachev, i cili, vetëm dy vjet pasi që presidenti amerikan, Ronald Reagan, i kishte bërë thirrjen historike “për ta rrëzuar atë mur”, sapo e kishte bërë një gjë të tillë. Disi mrekullisht, një reformator që donte t’i bënte rusët pjesë të Perëndimit demokratik, e kishte marrë pushtetin në Kremlin.

Këshilltarët radikalë të Gorbachevit në Politburo, të ngjashëm me atë që i kishte pasur Khrushchevi në kohën kur u ndërtua Muri i Berlinit, ishin të vendosur që ta ruanin sistemin e vjetruar që simbolizonte Muri. Mirëpo, në gusht të vitit 1991, moskovitët e zakonshëm u ngritën në këmbë. Ata u përballën me komplotistët dhe në fund e fituan përkrahjen e pjesës më të madhe të Ushtrisë Ruse. Me vendosmërinë e tyre, grusht shteti dështoi. Berlinezët kurrë nuk patën një shans të ngjashëm përballë pushtetit sovjetik. Khrushchev e kishte miratuar kërkesën e Ulbrichtit që vetëm një barrierë fizike do të mund ta siguronte funksionimin e shtetit të Gjermanisë Lindore. Reagimi i Khrushchevit ishte i ngjashëm me mënyrën se si ai u përball me Revolucionin Hungarez të vitit 1956, në kohën kur sapo kishte filluar ta konsolidonte pushtetin dhe duhej t’i mbante nën kontroll radikalët e Kremlinit.

Mirëpo, pesë vjet pas shtypjes brutale të kërkesave për liri në Budapest, Khrushchev nuk ishte tërësisht i bindur se ekzistonte nevoja për ta ndarë Berlinit. Ai druante se politika e tij e përmirësimit të raporteve me Evropën Perëndimore do të shkatërrohej gjatë procesit dhe se presidenti John F. Kennedy do ta konsideronte Murin si hapin e parë provokues në konfrontimin që do të mund të rezultonte me luftë bërthamore. Khrushchev kishte shpresa të mëdha se Bashkimi Sovjetik do të mund të ndërtonte raporte më pozitive me Evropën, posaçërisht pas incidentit me aeroplanin U-2 më 1960 (kur piloti amerikan, Gary Francis Powers u qëllua mbi territorin sovjetik), që helmoi marrëdhëniet ruso-amerikane. Pasi që samiti me Kennedyn në Vjenë më 1961 nuk kishte kontribuar fare në përmirësimin e gjendjes, ngritja e Murit më 13 gusht konsiderohej prej tij si një akt mbrojtjeje, e jo demonstrim i fuqisë. Khrushchev e kishte parasysh edhe të ardhmen e vet politike. Që nga fjalimi i tij sekret i 1956-s përmes të cilit e denonconte kultin e Stalinit, pozita e tij përbrenda Politbyrosë ishte dobësuar; mbështetja nga udhëheqja e Kremlinit nuk ishte e fortë, derisa radikalët e sulmonin nga secili drejtim. Në fund, vendimi për ta ndërtuar Murin ishte përpjekje e dëshpërueshme për ta siguruar vazhdimësinë e komunizmit në Gjermaninë Lindore dhe për t’ua bërë qejfin kundërshtarëve të tij.

Politika e tillë që i parapriu ndërtimit të Murit është zakonisht produkt i një politikani që mundohet me çdo kusht ta përforcojë mbështetjen e brendshme. Mirëpo, ironike për Khrushchevin ishte se, ndonëse radikalët e donin Murin, ata më vonë përfshinë pavendosmërinë e tij rreth Murit si akuzë për ta kërkuar largimin e tij, më 1964. Vendimi i tij e siguroi sundimin sovjetik në Gjermaninë Lindore për dhjetëvjetësha me radhë, mirëpo i kontribuoi rënies së tij politike.

Kur Gorbachev e dha lejen për thyerjen e Murit, e më pas demolimin, ai armiqësoi një pjesë të madhe të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, madje edhe më shumë se Khruschev. Në të vërtetë, Gorbachev më pati treguar njëherë se si Nicolae Ceauşescu, diktatori rumun, e kishte thirrur për t’i kërkuar që tanket të dërgohen në Berlin për ta ruajtur Murin. Mirëpo Gorbachev, ndonëse vazhdonte të besonte në komunizëm, refuzoi ta mbante Bashkimin Sovjetik në tytë të pushkës. Politika e tij ndryshonte nga ajo e Khrushchevit: ai po e sfidonte Perëndimin që ta pranojë se BRSS-ja njëmend kishte ndryshuar. Gjatë një bisede me sekretarin e atëhershëm të Shtetit, James Baker, Gorbachev u ankua rreth palës amerikane që vazhdimisht po u referohej “vlerave perëndimore të lirisë”, duke insistuar se ato janë “vlera njerëzore”.

Mirëpo, në kohën kur Perëndimi filloi të besonte se Gorbachev dhe reformat e tij ishin të njëmendta, zemërimi në mesin e kolegëve të tij në Kremlin e kishte arritur pikën e vlimit. Prijësit e grusht shtetit në gusht të vitit 1991 e arsyetonin largimin e Gorbachevit në po atë mënyrë që Ulbricht e kishte arsyetuar kërkesën për Mur – si mënyrën e vetme për ta ruajtur regjimin komunist.

Kur Perëndimi u mundua që ta paralajmëronte Gorbachevin rreth grusht shtetit, ishte tepër vonë. Mirëpo, mbrojtja e papritur nga rusët e zakonshëm e lirive të tyre të reja, së bashku me paaftësinë e puçistëve, u shkaktuan disfatë përpjekjeve për vënien e sundimit totalitar. Po të mos ishte ndërtuar muri më 1961, a do të kishte rënë komunizmi më herët? Po t’i ishte përgjigjur Gorbachev kërkesës së Ceauşescut, duke dërguar ushtarë për ta mbrojtur murin, a do të kishte rënë ndonjëherë komunizmi në Evropë? Këto janë pyetje të cilave nuk mund t’u përgjigjemi. Po ashtu, duke e pasur parasysh se Gorbachev refuzoi ta përdorte forcën për ta ruajtur perandorinë evropiano-lindore sovjetike, ideja se do ta bënte një gjë të tillë për ta ruajtur Murin duket qesharake. Megjithatë, e qartë është se në fund të fundit, asnjë mur nuk mund ta zmbrapsë demokracinë – dhe e kundërta, po qe se populli nuk e do mjaft demokracinë, asnjë Mur i Berlinit nuk është i nevojshëm për ta penguar atë. Bota duhet ta falënderojë Vladimir Putinin për atë leksion.

Autorja është bashkëpunëtore në Institutin për Politika Botërore në New York. Shkrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë “Project Sindycate”

KOMENTE